Bota

Mesazhe kundër luftës në Ukrainë, 7 vite burg për aktivisten ruse

Sasha Skochilenko, 33 vjeçe u dënua 7 vite burg, për mesazhet e saj për paqe e kundër luftës në Ukrainë.

D.XH
Mesazhe kundër luftës në Ukrainë, 7 vite burg për
Aktivistja ruse

MOSKË - Një aktiviste ruse kundër luftës është dënuar me shtatë vjet burg, pasi kishte zëvendësuar etiketat e supermarkteve me mesazhe kundër luftës.

Sasha Skochilenko, 33 vjeçe, një artiste nga Shën Petersburgu, ndodhet në paraburgim që nga prilli i vitit të kaluar. Ajo u dënua për përhapjen e "informacioneve të rreme" për ushtrinë ruse.

Avokatët e saj kërkuan lirimi, duke thënë se sëmundjet kronike nga të cilat vuan, nënkuptojnë se ajo rrezikon të vdesë në burg.

Disa javë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Skochilenko protestoi duke zëvendësuar etiketat e një supermarketi në Shën Petersburg me mesazhe kundër luftës.

Etiketat zëvendësuese shkruanin: "Ushtria ruse bombardoi një shkollë arti në Mariupol. Rreth 400 njerëz ishin fshehur brenda", si dhe: "Stërgjyshi im nuk luftoi në Luftën e Dytë Botërore për katër vjet, në mënyrë që Rusia të bëhej një shtet fashist dhe të sulmonte Ukrainën."

Zonja Skochilenko i pranoi akuzat. Në fjalën e saj përmbyllëse, artistja kishte një ton sfidues.

“Unë i qëndroj mendimit tim. Pse e kam rrezikuar shoqërinë? Shoqëria ruse qenka kaq e brishtë sa të dëmtohet nga disa mesazhe në disa letra?”, tha ajo.

Skochilenko u dënua për "diskreditim të ushtrisë ruse", sipas ligjeve represive të miratuara, në prag të pushtimit të Ukrainës. Legjislacioni rus kriminalizon të gjithë aktivizmin kundër luftës.

Gjyqi zgjati një vit e gjysmë, edhe pse ishte ndër rastet e pakta për ligjet e reja në fuqi. "Në fillim, hetimi zgjati shumë. Prokurorët duhej të gjenin disa prova diku", tha avokatja e saj Yana Nepovinnova.

Motra e Sasha Skochilenko, Anna, i tha BBC-së se motra e saj ishte një simbol i gjithçkaje që autoritetet [ruse] urrejnë. "Ajo është artistike, e brishtë, ka një mbiemër ukrainas", tha Anna Skochilenko.

Motra tha se ishte e tmerruar që kushtet kronike shëndetësore të motrës së saj nënkuptonin se ekzistonte rreziku që ajo të vdiste në burg. Skochilenko është diagnostikuar me sëmundje celiake si dhe me një defekt në zemër.

Presidenti rus Vladimir Putin ka goditur opozitën dhe zërat kundër, paralel me luftën. Edhe personazhë të tjerë janë dënuar nga këto ligje “lufte”. Muajin e kaluar, gazetarja Marina Ovsyannikova, e cila protestoi kundër pushtimit të Ukrainës drejtpërdrejt në TV shtetëror, u dënua me 8.5 vjet burg në mungesë.

Në prill, aktivisti i opozitës britaniko-ruse Vladimir Kara-Murza u dënua me 25 vjet për kritikat e tij ndaj luftës./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB