
KONGO- Një masakër ka ndodhur në Kongo, ku qindra gra u përdhunuan dhe më pas u dogjën të gjalla nga rebelët e mbështetur nga Ruanda. I gjithë qyteti i Gomës, me një popullsi prej 1 milion qytetarësh është në kaos, ndërsa deri më tani raportohet për 2 mijë viktima nga luftimet e ashpra. Krimi ndodhi pasi mijëra ushtarë M23 të burgosur në Kongo u arratisën nga burgu i mbipopulluar i Munzenzeas dhe më pas sulmuan atë të grave. Nga ky sulm, 141 të burgosura u dogjën të gjalla, mes tyre 28 fëmijë, pasi ata u përdhunuan nga rebelët.
Viviane van de Pere, nënkryetare e forcës paqeruajtëse të OKB-së në Goma tha se deri më tani ata nuk janë lejuar të hyjnë në skenën e krimit dhe e kanë të pamundur të zhvillojnë një hetim se kush qëndron pas këtij krimi. De Pere tha se numri i viktimave mund të jetë më i lartë ndërsa ende nuk ka dijeni sesa të burgosura janë abuzuar seksualisht, por qindra prej tyre raportohet të jenë viktima.
“Rreth 4000 të burgosur u arratisën. Në burg ishin edhe disa qindra gra... Të gjitha u përdhunuan dhe më pas i vunë zjarrin pjesës së burgut ku ato ndodheshin. 141 prej tyre humbën jetën”, tha ajo.
Sipas raporteve lokale, gjatë kaosit, rojet e burgut qëlluan mbi të burgosurit për të parandaluar një arratisje masive. Një javë pas sulmit, burgu i Munzenzes është rrënuar dhe plotësisht i zbrazët, pasi gardianët kanë braktisur postet e tyre. Një pjesë e madhe e burgut u shkatërrua nga zjarri, përfshirë ndërtesën e administratës. Pas arratisjes së të burgosurve, objekti u grabit më tej.
Para incidentit, Burgu Qendror i Munzenzes strehonte rreth 4,400 të burgosur, duke tejkaluar kapacitetin e tij.
Goma në gërmadha pas sulmit
Një javë pas sulmit, autoritetet kanë konfirmuar se më shumë se 2 mijë persona janë vrarë, ndërsa rebelët e M23 kanë marrë kontrollin e qytetit, i cili është kryeqyteti i provincës Kivu Veriore.
Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) ka paralajmëruar se grupet e armatosura në Goma po përdorin dhunën seksuale si një armë lufte. Qyteti, shtëpia e një milion njerëzve, tani është plotësisht nën kontrollin e luftëtarëve M23.
OKB-ja raportoi më parë se rreth 2,900 njerëz u plagosën gjatë kryengritjes, ndërsa vlerësimet lokale thonë se numri ishte më shumë se 2,000 të vrarë.
“Rrugët janë plot me njerëz të vdekur. Ne po marrim gjithashtu raporte të punonjësve shëndetësorë dhe pacientëve, përfshirë foshnja që janë plagosur”, tha Adelheid Marchang, koordinatore e reagimit emergjent të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Republikën Demokratike të Kongos.
Një aleancë e grupeve rebele e njohur si "Aleanca e Lumit Kongo", pjesë e së cilës është M23, ka akuzuar më parë ushtrinë kongoleze për përdorimin e avionëve për të bombarduar zonat nën kontrollin e tyre. Organizata ka njoftuar se nuk ka ndërmend të pushtojë territore shtesë, pavarësisht deklaratave të mëparshme dhe se do të ruajë pozicionet e saj. Në një deklaratë, aleanca tha: "Ne përsërisim angazhimin tonë për të mbrojtur popullatën civile dhe pozicionet tona."
Frika nga përhapja e konfliktit
Para këtyre ngjarjeve, frika po rritet nëse Ruanda po planifikon të marrë më shumë territor nga fqinji i saj i madh, pasi forcat M23 avancuan gradualisht drejt jugut, drejt qytetit të Bukavu, kryeqyteti i provincës së Kivu-së Jugore, 190 kilometra larg Goma. Konfliktet rajonale kanë zhvendosur qindra mijëra njerëz gjatë tre viteve të fundit. Që nga fillimi i vitit 2025, më shumë se 400,000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.
Ruanda nën presion
Presidenti i Ruandës, Paul Kagame, i cili është gjithashtu komandanti i përgjithshëm i Forcave të Mbrojtjes, tha se nuk e dinte nëse trupat ruandeze ndodheshin në Kongo. Ndërkohë, organizatat e të drejtave të njeriut po bëjnë thirrje për presion më të fortë ndaj Ruandës për t'u tërhequr.
Ministri i Komunikimit i Kongos, Patrick Mujaya i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vendosë sanksione ndaj Ruandës./ZËRI