
BRITANI E MADHE- Të paktën katër persona janë goditur me mjet prerës pranë stacionit të metrosë Hainault në veri-lindje të Londrës.
Sulmuesi, një 36-vjeçar i armatosur me katana (shpatë japoneze), u arrestua nga policia. Në vendngjarje kanë shkuar edhe disa autoambulanca. Mes të plagosurve janë edhe dy oficerë policie, që kanë tentuar të neutralizojnë agresorin. Policia beson se nuk ka asnjë kërcënim të vazhdueshëm dhe se incidenti nuk ka lidhje me terrorizmin.
"Ne nuk besojmë se ka ndonjë kërcënim të vazhdueshëm ndaj komunitetit. Ne nuk po kërkojmë asnjë të dyshuar tjetër," tha zëvendësi i policisë. Mediat britanike raportuan se policia mori një telefonatë pak para orës 7 të mëngjesit për një automjet që përplasej me një shtëpi në zonën e Thurlow Gardens. Prej andej ka pasur raportime për njerëz të plagosur me thikë.
Stacioni i metrosë u mbyll përkohësisht deri në përfundimin e plotë të hetimeve. /ZËRI