Bota

Mali i Zi i kundërpërgjigjet Serbisë: Mbështetja për Kosovën nuk është veprim antiserb

Ky reagim vjen pas deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, e cila shprehu shqetësim lidhur me qëndrimet e Malit të Zi në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe për lobimin aktiv për anëtarësimin e Prishtinës në organizata ndërkombëtare.

Redaksia Zëri
Mali i Zi i kundërpërgjigjet Serbisë: Mbështetja për
Foto ilustruese

PODGORICË- Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i ka hedhur poshtë si “të pabazuara dhe të paargumentuara” pretendimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, të cilat u bënë pas deklarimit të gatishmërisë së Malit të Zi për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

“Përpjekjet për të paraqitur qëndrimet tona politike si kërcënim ndaj interesave të Serbisë janë plotësisht të pabazuara", thuhet në deklaratë.

Më tej thuhet se është shqetësuese përpjekja për ta paraqitur këtë mbështetje si “veprim antiserb”, gjë që nuk ndodh kur mesazhe të ngjashme vijnë nga shtete të tjera. Ky reagim vjen pas deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, e cila shprehu shqetësim lidhur me qëndrimet e Malit të Zi në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe për lobimin aktiv për anëtarësimin e Prishtinës në organizata ndërkombëtare.

Një ditë më parë, ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, deklaroi gjatë një interviste në RTV Mali i Zi se do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Mali i Zi do të japë mbështetje të qartë kur të ngrihet çështja nëse Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian apo e Këshillit të Evropës”, deklaroi Ibrahimoviq.

Edhe pse disa nga partitë që janë pjesë e koalicionit qeverisës në Mal të Zi nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Ibrahimoviq u shpreh që beson se ky qëndrim nuk do ta rrezikojë koalicionin, duke pasur parasysh se Mali i Zi ka prioritete të qarta në politikën e jashtme.

Një nga këto prioritete janë edhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, tha Ibrahimoviq.

“Mali i Zi njihet nga partnerët ndërkombëtarë si një vend që kultivon marrëdhënie të mira fqinjësore. Prandaj, do ta mbështesim shtetin tonë mik, Kosovën, sepse është prioritet i politikës së jashtme që ajo të jetë anëtarja e radhës e Bashkimit Evropian dhe kjo nuk bie ndesh me qëndrimet tona”, u shpreh ai.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë i vlerësoi deklaratat nga Mali i Zi si “në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara, por edhe me marrëdhëniet e mira fqinjësore”. Përmes një deklarate, MPJ-ja serbe u bëri thirrje fqinjëve, përfshirë Malin e Zi, që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që mund të “përshkallëzojnë tensionet” dhe të punojnë për forcimin e besimit të ndërsjellë.

“Ne besojmë se është thelbësore të punohet për ruajtjen e marrëdhënieve pozitive, në vend që të mbështeten aktivitetet antiserbe, përçarjet e mëtejshme dhe konfliktet”, u tha në deklaratë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i ka bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë që të përmbahet nga deklaratat që dëmtojnë marrëdhëniet bilaterale dhe kontribuojnë në polarizimin e rajonit.

“Jemi të bindur se stabilitetin e rajonit nuk e rrezikojnë qëndrimet parimore dhe të shprehura qartë, por deklaratat publike që, duke relativizuar pavarësinë e shteteve fqinje, synojnë nxitjen e tensioneve dhe imponimin e një kornize të caktuar politike”, thuhet në reagimin e MPJ-së malazeze. Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, kur në pushtet ishte Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviqit, e cila i humbi zgjedhjet në gusht të vitit 2020 ndaj Frontit Demokratik (DF) proserb dhe prorus, Demokratëve dhe Lëvizjes URA. Njohja e pavarësisë së Kosovës shkaktoi protesta dhe përplasje në rrugë nga opozita e atëhershme, e përbërë nga parti proserbe të udhëhequra nga Fronti Demokratik, i cili tani është pjesë e shumicës qeverisëse në Mal të Zi.

Partitë e Frontit Demokratik, të cilat ndërkohë janë shpërbërë, mbajnë dy poste të zëvendëskryeministrave dhe tre ministri në qeveri. Udhëheqësi i tyre, Andrija Mandiq, i afërt politikisht me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, është në krye të Parlamentit të Malit të Zi.

Qëllimet e tyre në politikën e jashtme përfshijnë heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, tërheqjen e Malit të Zi nga NATO-ja dhe anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ata pretendojnë se Kosova është territor i pushtuar serb dhe e quajnë atë një “kuazi-shtet”. Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.

Në Mal të Zi, partia në pushtet është Lëvizja Evropa Tani e kryeministrit Millojko Spajiq, së bashku me Demokratët, partitë e ish-Frontit Demokratik, Partinë Boshnjake dhe Forumin Shqiptar./REL

Poll

MOS HUMB