
MEKSIKË- Tre gazetarë meksikanë, të cilët u rrëmbyen javën e kaluar, janë liruar pasi autoritetet nisën operacionet e kërkimit në provincën jugore të Guerrero. Tre gazetarët e liruar ishin mes pesë personave të rrëmbyer ditët e fundit në qytetin turistik Taxco.
Prokuroria konfirmoi gjithashtu lirimin e gruas së Toledos, redaktorit të gazetës "El Espectador", por djali i çiftit, i cili u rrëmbye së bashku me prindërit e tij, është ende i zhdukur.
Toledo, redaktori i gazetës javore El Espectador, u rrëmbye më 19 nëntor në qytetin turistik të Taxco, ndërsa Silvia Nayssa Arce dhe Alberto Sanchez, reporterë të faqes së medias dixhitale RedSiete, u rrëmbyen nga persona të armatosur që sulmuan zyrat e tyre.
Meksika konsiderohet si një nga vendet më të rrezikshme në botë për të ushtruar gazetari, sipas organizatës Reporterët pa Kufi (RSF). Më 16 nëntor, fotoreporteri Ismael Villagomez u qëllua për vdekje në qytetin kufitar verior të Ciudad Juarez. Tre persona janë arrestuar për vrasjen./Zëri.ai