
MAQEDONIA E VERIUT- Disa delegacione kanë bojkotuar sot Samitin e OSBE që mbahet në Maqedoninë e Veriut. Bojkoti erdhi pasi Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, në fjalimin e tij në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup, ka akuzuar rëndë këtë organizatë duke thënë se është bërë vegël e BE-së.
"Është faji juaj që keni sjellë këtë ndasi të OSBE-së, vetë iniciatorët e kësaj ideje janë duke e vrarë OSBE-në. Ka qenë tradicionale që ne të mbanim fjalime pozitive por kjo nuk po ndodhë më, sepse OSBE është bërë vegël e BE-së”, tha ai.
Pjesëmarrja e diplomatit rus u mundësua nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian. Prania e tij në samit shkaktoi debate e reagime të shumta. Ukraina dhe shtetet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, në shenjë pakënaqësie e kanë bojkotuar samitin, duke mos dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror.