
IZRAEL- Izraeli u ka bërë thirrje qytetarëve të vet të largohen menjëherë nga Egjipti dhe Jordania, tha Këshilli Kombëtar i Sigurisë i Izraelit të shtunën, pasi tensionet rajonale janë rritur jashtëzakonisht shumë si pasojë e luftës në Gazë. Ndërkohë që ndër vendet që nuk preferohet gjithashtu që izraelitët të shkojnë është Maroku, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Këshilli Kombëtar i Sigurisë i Izraelit i ka rritur në nivelin e katërt [të kërcënimit] paralajmërimet për ata që udhëtojnë për Egjipt (përfshirë Sinai) dhe Jordani: kërkohet të mos udhëtohet drejt atyre vendeve dhe ata që ndodhen atje të largohen...sa më shpejt”, thuhet në komunikatën për media të Këshillit, citon “The Times of Izrael”.
“Duke pasur parasysh luftën e vazhdueshme, ne jemi dëshmitarë të një rritje të konsiderueshme të protestave anti-izraelite në ditët e fundit në vendet anembanë botës, dhe në veçanti, vendet arabe në Lindjen e Mesme. Armiqësia dhe dhuna janë shfaqur kundër simboleve hebreje dhe izraelite. Retorika e xhihadit global është bërë më ekstreme, e cila po bën thirrje për të dëmtuar izraelitët dhe hebrenjtë në mbarë botën”, deklaroi më tej Këshilli Kombëtar i Sigurisë së Izraelit.
Ky njoftim vjen vetëm pak ditë pasi Izraeli i tërhoqi diplomatët e vet nga Turqia si masë parandaluese, pas një kërkesë të mëparshme përmes të cilës iu kërkoi qytetarëve po ashtu të largoheshin nga ky shtet. Këto thirrje vijnë në një kohë protestash të mëdha nëpër Lindjen e Mesme kundër bombardimeve të Izraelit në Rripin e Gazës.
Lufta u ndez pasi militantët e Hamasit e kryen një sulm të tërbuar në disa qytete jugore të Izraelit, ku ishin futur nga Rripi i Gazës, duke i marrë me vete rreth 200 pengje dhe duke i vrarë më shumë se 1.400 njerëz, kryesisht civilë, sipas zyrtarëve izraelit.
Si pasojë, Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin, si dhe nisi një fushatë bombardimesh si kundërpërgjigje, duke i rrafshuar blloqet banesore në Gaza dhe duke i vrarë mbi 4.100 palestinezë, kryesisht civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, që udhëhiqet nga Hamasi./Zëri.ai