
BEOGRAD- Kuvendi i Serbisë në seancën e sotme pranoi zyrtarisht dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviç. Ndërsa, u caktua se brenda 30 ditësh duhet të formohet qeveria e re ose të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Vuçeviç, i cili është kreu i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet dhe një aleat i ngushtë presidentit Aleksandar Vuçiç, dha dorëheqjen më 28 janar, pas protestave që shpërthyen në vend, pas tragjedisë me 15 viktima në Novi Sad. Por, pavarësisht dorëheqjes së tij pothuajse dy muaj më parë, ajo u pranua sot.
Ky veprim vjen si pasojë e protestës më të madhe në historinë e Serbisë disa ditë më parë për t’u vendosur drejtësi dhe të mbahen përgjegjës fajtorët e shembjes së tavanit të stacionit të trenit në Novi Sad. Prej nëntorit studentët nuk i kanë ndalur protesta e tyre. Vuçiç ka marrë disa masa për të zbutur presionin e protestës publike që pasoi shembjen e stacionit të trenit të rinovuar rishtazi në Novi Sad nëntorin e kaluar, i cili shkaktoi 15 vdekje.
Protestuesit besojnë se kolapsi u shkaktua nga korrupsioni, kontratat e hartuara keq dhe mungesa e mbikëqyrjes së ekspertëve gjatë modernizimit të stacionit, si pjesë e Iniciativës së Kinës “Një brez dhe një rrugë”. Të paktën 100,000 njerëz nga i gjithë vendi vërshuan kryeqytetin serb të shtunën për të kërkuar që qeveria ta marrë më seriozisht korrupsionin. Vuçiç pretendon se lëvizja synon drejtpërdrejt kundër tij, megjithëse nuk ka gjasa të rrëzojë presidentin.
Por, megjithëse disa zyrtarë lokalë dhe kombëtarë, përfshirë tani të gjithë qeverinë serbe, dhanë dorëheqjen pas protestave publike, protestuesit nuk u bindën nga hapat e Vuçiqit, pasi kërkesa e tyre për dokumentacion të plotë të programit të rinovimit të hekurudhave të Serbisë u publikua me kufizime dhe ndryshime./ZËRI