
PRISHTINË- Vrasja e një 18-vjeçari nga 2 të mitur ka tronditur Prishtinën. Lulzim Fejzullahu, 18 vjeç, u përplas fillimisht me makinë e më pas u masakrua me shufra hekuri. Për shkak të goditjeve ndërroi jetë në spital. Mediat vendase kanë shkuar tek të njohurit e të riut, për të zbuluar më shumë lidhur me personalitetin e tij, por të gjithë e kanë përshkruar si një person aspak problematik dhe konfliktual. Për shkak se nuk kishte në jetë asnjë nga të dy prindërit, ai ishte detyruar të ndërpresë studimet dhe të punonte. Prej kohësh ishte vendosur në një biznes gastronomie, ku edhe siguronte sadopak të ardhura për të ndihmuar veten dhe të motrën.
Pronari i lokalit e përshkroi Lulzimin si një djalë të përkushtuar në detyrat e tij: Ka qenë shembullor, shumë i urtë, asnjë vërejtje asnjëherë. Ka punu që një vjet e gjysmë. Asnjë vërejtje s’e kemi pas.
Xhaxhaxi i 18-vjeçarit, Rrahim Fejzullahu, ka rrëfyer për Nacionale dinamikën e ngjarjes, duke zbuluar se e gjitha ka nisur për vendin në berberhane. Edhe njëherë duke theksuar tipin jokonfliktual të të riut, xhaxhai tregoi se pas debatit brenda në sallon, i riu ishte larguar fare nga atje pa u qethur. Por 2 të miturit e tjerë nuk e lanë me kaq dhe e ndoqën nga pas për ta vrarë.
“Djali ka qenë pa dy prindër, ka qenë punëtor, rasti ka qenë një ditë përpara të shtunën, më 13 është hi qeta me i hjekë flokët, qëtu është një berber ku qethen e rruhen. Edhe janë rrokë për vend, jo ulësh ti para meje jo unë para teje, djali është nis me ardh prej shpie mos me u qeth hiç, edhe janë rrokë me krah në derë kah të dalin, si shqiptarët që e kanë traditë pse po më rrok me krahë, kush je ti çka je ti. Djali është nis me ardh prej shtëpie, ata e kanë përcjellë me kerr. Së pari janë shku kanë marrë stupca të bejsbollit, tani e kanë përcjellë qëtu, e kanë zënë te shtëpia aty, e kanë shkelë me kerr. E kur e kanë rrëzu djalin i kanë hi me shipka e qato të bejsbollit në krye, kështu që djali dje në ora 15:20 ka ndërruar jetë. Asnjë shenjë trupit se ka, veç në krye. Kjo është vrasje dy here, një here me kerr tani me stupc. As hak as hile s’iu kam pas, zoti hajr e baftë na ka ndodh, na ka zanë,”- ka thënë më tutje xhaxhai i të ndjerit.
Për vrasjen e tij janë arrestuar djemtë e dy biznesmenëve në Podujevë. Njëri prej tyre është Elton Kadri, por duke qenë se janë në moshë të mitur, dy autorët nuk pritet të dënohen me më shujmë se 10 vite burg./ZËRI