Bota

Kurti: Serbia të kërkojë marrëveshje me Kosovën për zgjedhjet serbe

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kërkuar nga Beogradi që të bëjë kërkesë për marrëveshje me Kosovën, me qëllim që komuniteti serb në Kosovë me shtetësi të dyfishtë, të votojë në zgjedhjet serbe të 17 dhjetorit.

D.XH
Kurti: Serbia të kërkojë marrëveshje me Kosovën
Albin Kurti

PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka dërguar një letër shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michale Davenport, në lidhje me pretendimet e Serbisë se komuniteti serb në Kosovë duhet të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Në letrën e dërguar për Davenport, Kurti shkruan se me Serbinë duhet të ketë një marrëveshje të veçantë, në mënyrë që komuniteti serb në Kosovë të mund të marrë pjesë në zgjedhjet serbe.

Kurti po ashtu ka theksuar se marrëveshja duhet të kërkohet nga Serbia, si palë e interesuar. Sipas kreut të qeverisë në Prishtinë, marrëveshja duhet të jetë e bazuar në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

“Në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, më lejoni t'ju tërheq vëmendjen edhe në kornizën e re ligjore, e cila është ndërtuar mbi praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare. Lidhur me të njëjtën problematikë dhe në lidhje me çështjen e bashkëpunimit ndërshtetëror për votimin jashtë vendit, me qëllim që të mundësohet që qytetarët e komunitetit serb në Kosovë me shtetësi të dyfishtë të votojnë në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, është e nevojshme një marrëveshje e veçantë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa për këtë marrëveshje duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar.

Dhe çdo kërkesë e tillë duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtet i barabartë, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë të arritur sivjet mes Kosovës dhe Serbisë. Me këto kushte inkurajojmë Serbinë që të negociojë një marrëveshje të tillë speciale me Republikën e Kosovës, duke zbatuar në këtë mënyrë edhe një detyrim tjetër të Marrëveshjes Bazë: të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në bazë të të drejtave të barabarta dhe respektit reciprok të të drejtat e votuesve jashtë vendit”, thuhet në letrën e Kurtit dërguar Davenport.

Zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor 2023./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB