
KOSOVË-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tregohen shumë të buta ndaj Serbisë, duke shtuar se asaj duhet t’i caktojnë një ultimatum për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Në një intervistë për 'Financial Times’, Kurti u shpreh se Beogradi duhet të qëndrojë në anën e perëndimit kundër Moskës në mënyrë që t'i japë Kosovës sigurinë se është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve.
"Brukseli dhe Uashingtoni duhet të ndryshojnë qasjen e tyre dhe t'i vendosin një afat kohor Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Sapo Serbia të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse, atëherë do të ishte një moment kur ata do të tregonin se duan të integrohen në BE dhe se Serbia pa Rusinë nuk mund të kërcënojë sigurinë e kontinentit. Kështu që atëherë, mund të besoja se ata në thelb duan paqe,"-u shpreh Kurti.
Kryeministri i Kosovës tha se Serbia duhet të tregojë përkushtim ndaj integrimit në BE duke vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ndaluar përpjekjet për t’u ulur në “tre ose katër stola”. Kurti ka refuzuar të tregojë nëse Policia e Kosovës do t’i tërheqë njësitë speciale nga veriu, por ka insistuar se ankesat e serbëve për praninë e tyre po pakësohen.
Javën e kaluar policia kosovare bastisi disa degë të një banke serbe në veri të vendit dhe konfiskoi monedhën serbe. Dinari ishte i jashtëligjshëm si mjet këmbimi në Kosovë në fillim të këtij viti, edhe pse shumë prej serbëve të Kosovës paguhen me paga ose pensione në atë valutë. Kosova përdor euron. Kurti gjithashtu ka potencuar se ka dallime strategjike me aleatët euro-amerikanë, por jo në vlera dhe parime./ZËRI