
KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për transmetuesin britanik “BBC” të martën ka treguar se nuk do të lejojnë kurrë të përdoret dinari serb në Kosovë. Kurti deklaroi se Serbia s’mund t’ia imponojë komunitetit serb në Kosovë përdorimin e dinarit, duke shtuar se monedha shtetërore serbe i përket kohës së ish-udhëheqësit fashist të Serbisë dhe s’mund të lejohet në Kosovë.
“Kosova mund të ketë vetëm një lloj valute si mjet pagese. Pra, si mjet pagese mund të përdoret vetëm euro. Dinari i përket shekullit të kaluar dhe Millosheviçit. Pra, nëse Serbia dëshiron dinarë, atëherë ata s’mund ta imponojnë këtë. Një shumicë e pakicës serbe e pranojnë Republikën e Kosovës si shtetin e tyre. Sidoqoftë ne duhet të parandalojmë Beogradin që mos t’i bullizojë ata. S’ka rrezik për serbët e Kosovës nga qeveria ime. Ne s’mund të lejojmë asnjë individ ose grup të bëhet më i fortë se shteti. Dhe shteti nënkupton sundim të ligjit për të gjithë dhe secilin”-u shpreh Kurti.
Kryeministri i Kosovës përmendi edhe sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës vitin e kaluar, duke sugjeruar se shteti serb provokoi luftë.
'Ne konfiskuam armë, municion dhe pajisje ushtarake në vlerë deri në pesë milionë euro të prodhuara në Serbi vitet e fundit. Unë mendoj se Serbia deshi një luftë të re, por kjo nuk ndodhi. Ne eleminuam tre terroristë dhjetëra prej tyre ikën, ndërsa ata sot janë në Serbi”-deklaroi Kurti.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në. Çështja e dinarit serb pritet të diskutohet sërish./ZËRI