
PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka raportuar në Kuvendin e Kosovës, zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi, sidomos faktin se Prishtina ka pranuar draft-statutin e BE-së për Asocacionin e komunave me shumicë serbe.
Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje ka këmbëngulur për ndryshime në dialog dhe tashmë po kërkohet nga Serbia kushti që ta njohë de facto Kosovën. Ai shtoi se marrëveshja pas nënshkrimit, do shikohet nga Kushtetuesja.
“Sundimi i ligjit do të vazhdojë pavarësisht dialogut. Dy vite dialog kanë sjellë një marrëveshje, është ajo marrëveshja e Brukselit. Marrëveshja siç është thënë, është marrëveshje për njohje de-facto nga Serbia. Ky është rezultati i dy viteve dialog. Marrëveshja bazike në gjashtë rreshtat e ka njohjen de-facto nga Serbia. 5 nenet tjera janë përfituese për të dyja palët.
Qëndrimi i Qeverisë ka qenë dhe mbetet të zbatimi i plotë i marrëveshjes që kemi arritur në Bruksel. Në tetor kemi pritur emisarët, të cilët sollën planin për ecjen përpara. Ne e kemi mbështetur planin e ri. Kur kemi marrë qeverinë kemi thënë se na duhet një qasje e re në dialog. Draft-propozimi parasheh që duhet të shikohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës menjëherë pas nënshkrimit”, tha Kurti.
Më pas, kryeministri Kurti theksoi se draft statuti i BE-së për Asocacionin e komunave me shumicë serbe nuk është Zajednicë.
“Drafti në vlerësimin tim politik ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës që ishte çimentuar në 2013 dhe 2015. Drafti ka qartësi për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, ku serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multi-etnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues dhe minues për Republikën në njohje të integritetit territorial. Kjo qartazi nuk është Zajedenicë, sepse asisoj do të ishte e padiskutueshme”, u shpreh Kurti.
Kryeministri Albin Kurti prezantoi para deputetëve të Kosovës, ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel./Zëri.ai/