
PRESHEVË- Shqiptarët e Luginës së Preshevës protestuan ditën e sotme në sheshin e Bujanocit kundër diskriminimit dhe shtypjes që atyre po iu bëhet nga Beogradi. Kërkesat e protestuesve përfshinin lirinë e tyre për të mësuar në gjuhën shqipe, të drejtën e tyre për të patur mjekë shqiptar në spitale dhe të marrin kujdes shëndetësor pa u diskriminuar.
Një nga mësuesit, prezent në protestë, Llukman Misini, tha se atyre po iu mohohet përdorimi i teksteve shkollore në gjuhën shqipe, por edhe librat si Historia dhe Gjeografia iu është ndaluar të mësohet.
“Në mungesë te teksteve shkollore, profesorët japin mësim në mënyrë alternative. Vendet e rajonit përdorin mjete të avancuara në sistemin mësimor. Ne po vazhdon të na mohohet sigurimi i teksteve shkollore. Po na ndalohet historia si lëndë. Po na ndalohet lënda e gjeografisë”, ka deklaruar ai.

Një nga studentët u shpreh se diplomat e tyre nuk iu njihen nga Serbia.
“Studentët në Luginën e Preshevës gjatë gjithë kohës së studimeve dhe pas diplomimit e ndjek barra e mosnjohjes së diplomës, brenga se çka pas përfundimit të studimeve e frika që nuk do të mund të ushtrojë profesionin e tij, në vendin e tij”, tha ai.
Një numër i madh qytetarësh morën pjesë në këtë protestë, në mesin e tyre ishte Ardita Sinani, Shaip Kamberi, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar si dhe pjesëtar të tjerë.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Nevzad Lutfiu, tha se nga 24 komunitete që jetojnë në Serbi, ai shqiptari është më i diskriminuari dhe më me pak të drejta.
“Ne jetojmë brenda një shteti ku etnia më e urryer janë shqiptarët, edhe pse ne jemi në tokat tona, nuk i kemi pushtuar, përkundrazi kemi qenë shumë më shumë sesa jemi sot dhe shumë me gjerë sesa jemi sot”, tha Lutfiu.
Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët në Luginën e Preshevës ngrejnë shqetësimet e tyre, pasi edhe më parë Kamberi në një letër të drejtuar Escobar në janar të 2023, shkroi se autoritetet serbe po minimizojnë adresat e vendbanimeve shqiptare. Sipas të dhënave, 6000 adresa janë minimizuar, duke mohuar numrin e vërtetë të popullsisë shqiptare në Bujanoc dhe Medvegjë. Personave të prekur nga kjo iu është mohuar e drejta për dokumente dhe sigurim shëndetësor dhe e drejta për të votuar në zgjedhje. /ZËRI