
QUEENSLAND- Një helikopter u rrëzua dhe u përplas në çatinë e një hoteli në Cairns, në Australinë veriore, ku si pasojë piloti humbi jetën. Përplasja shkaktoi zjarr në godinë, por menjëherë u bë e mundur evakuimi i qindra klientëve.
Policia e Queensland dhe mbikëqyrësi i sigurisë së aviacionit po hetojnë rrethanat e rrëzimit, ndërsa kompania që dha me qira helikopterin tha se ky ishte një fluturim “i paautorizuar”. Rrugët përreth hotelit janë mbyllur dhe një situatë emergjente është shpallur nga policia.
I pozicionuar në Queensland verior, qyteti i Cairns është një destinacion popullor turistik për shkak të afërsisë së tij me Reefin e Madh të Barrierës. Në hotel, në ato momente ndodheshin më shumë se 400 persona, ku asnjë prej tyre nuk u lëndua dhe u evakuuan menjëherë nga autoritetet.
Rastet e rrëzimit të avioneve kanë qenë të shumta javët e fundit, ku jo më pak se disa ditë më parë një avion u rrëzua në Brazil, ku si pasojë humbën jetën 62 persona. Rrethanat e këtij aksidenti tragjik ajror janë ende duke u hetuar. /ZËRI