
BRITANI E MADHE- Umm Hudaifa ishte gruaja e parë e Abu Bakr al-Baghdadi dhe ishte martuar me të ndërsa ai mbikëqyrte sundimin brutal të ISIS-it mbi pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut. Ajo tani është duke u mbajtur në një burg irakian ndërsa po hetohet për krime të lidhura me terrorizmin.
Në verën e vitit 2014, Umm Hudaifa jetonte në Raqqa, bastioni i atëhershëm i ISIS në Siri, me burrin e saj. Si udhëheqësi i kërkuar i grupit xhihadist ekstremist, Abu Bakr al-Baghdadi shpesh kalonte kohë në vende të tjera dhe në një nga ato raste ai dërgoi një roje në shtëpi për të marrë dy nga djemtë e tyre të vegjël, shkruan BBC.
"Ai më tha se do të shkonin në një udhëtim për t'i mësuar djemtë se si të notonin," -thotë Umm Hudaifa.
Më tej ajo tregon se në shtëpi kishte një televizor që ajo e shikonte fshehurazi.
“Unë e ndizja kur ai nuk ishte në shtëpi”, thotë ajo, duke shpjeguar se mendonte se nuk funksiononte.
Ajo thotë se ishte shkëputur nga bota dhe ai nuk e kishte lënë të shikonte televizor ose të përdorte ndonjë teknologji tjetër, si celularët, që nga viti 2007. Disa ditë pasi roja mori fëmijët, ajo thotë se ndezi televizorin dhe mori “një surprizë të madhe”. Ajo e pa burrin e saj duke iu drejtuar besimtarëve në Xhaminë e Madhe të al-Nuri në qytetin verior të Irakut të Mosulit, duke u shfaqur për herë të parë si kreu i kalifatit të vetëshpallur islamik. Ishte vetëm disa javë pasi luftëtarët e tij kishin marrë kontrollin e zonës.
Pamjet e al-Baghdadit duke u shfaqur për herë të parë publike pas vitesh, me mjekrën e tij të gjatë, të veshur me rroba të zeza dhe duke kërkuar besnikëri nga muslimanët, u panë në mbarë botën dhe shënuan një moment kyç për ISIS-in teksa përfshiu Irakun dhe Sirinë. Umm Hudaifa thotë se ajo u trondit kur zbuloi se djemtë e saj ishin në Mosul me të në vend që të mësonin të notonin në Eufrat. Gjatë bisedës, ajo e përshkruan veten si një viktimë që tentoi t’i ikte burrit të saj dhe mohon se ishte përfshirë në ndonjë nga aktivitetet brutale të ISIS.
Kush është Umm Hudaifa, e veja e kreut të ISIS
Umm Hudaifa lindi në 1976 në një familje konservatore irakiane dhe u martua me Ibrahim Awad al-Badri, i njohur më vonë me pseudonimin Abu Bakr al-Baghdadi, në 1999. Ai kishte mbaruar studimet për Sheriatin, ose ligjin islam, në Universitetin e Bagdadit dhe ajo thotë se në atë kohë ai ishte “fetar, por jo ekstremist… konservator, por mendjehapur”.
Më pas në vitin 2004, një vit pas pushtimit të Irakut të udhëhequr nga SHBA, forcat amerikane arrestuan al-Baghdadin dhe e mbajtën në qendrën e paraburgimit në Kampin Bucca në jug për rreth një vit, së bashku me shumë burra të tjerë që do të bëheshin figura të larta në IS dhe grupe të tjera xhihadiste.Në vitet pas lirimit të tij, ajo pretendon se ai ndryshoi: Ai u bë i dhënë pas shpërthimeve të zemërimit.
Të tjerë që e njihnin al-Bagdadin thonë se ai ishte përfshirë me Al-Kaedën përpara kohës së tij në Bucca, por për të, kjo shënoi pikën e kthesës pas së cilës ai u bë gjithnjë e më ekstrem.
“Ai filloi të vuante nga probleme psikologjike,” thotë ajo. Kur ajo e pyeti pse, ai i tha se “ai ishte i përfshirë ndaj diçkaje që ‘nuk mund ta kuptoni’”.
Ajo beson se edhe pse ai nuk e ka thënë në mënyrë specifike, “gjatë ndalimit të tij ai i është nënshtruar torturës seksuale”.
Fotot nga një burg tjetër i drejtuar nga SHBA në Irak, Abu Ghraib, që dolën në dritë atë vit treguan të burgosurit të detyruar të simulonin akte seksuale dhe të merrnin poza poshtëruese. Ajo thotë se filloi të pyeste nëse ai i përkiste një grupi militant.
“Unë i kërkoja rrobat kur kthehej në shtëpi, kur bënte dush ose kur flinte",-tha ajo.
Ajo përshkruan se si ata shpesh ndryshonin shtëpi, kishin identitete të rreme dhe burri i saj u martua me një grua të dytë. Umm Hudaifa thotë se ajo kërkoi divorcin, por ajo nuk do të pranonte kushtin e tij që të hiqte dorë nga fëmijët e tyre, kështu që ajo qëndroi me të. Ndërsa Iraku ra në një luftë të përgjakshme që zgjati nga viti 2006 në 2008, ajo nuk kishte më asnjë dyshim se ai ishte i përfshirë në grupet xhihadiste sunite. Në vitin 2010 ai u bë udhëheqësi i Shtetit Islamik të Irakut – i formuar në vitin 2006.
“Ne u shpërngulëm në fshatin Idlib në Siri në janar 2012 dhe atje u bë absolutisht e qartë për mua se ai ishte emir [udhëheqësi]”, thotë Umm Hudaifa.
Shteti Islamik i Irakut ishte një nga grupet që më vonë bashkoi forcat për të formuar grupin më të gjerë të Shtetit Islamik që shpalli një kalifat, një shtet islamik i qeverisur në përputhje me Sheriatin nga dikush që konsiderohet zëvendës i Zotit në Tokë, dy vjet më vonë. Në atë kohë, ajo thotë se ai filloi të vishte fustan afgan, rriti mjekër dhe mbante një pistoletë.
Rreth kësaj periudhe, ajo thotë se edhe atëherë nuk mund t’i shikonte fotot, duke i përshkruar mizoritë si një “tronditje e madhe, çnjerëzore” dhe shton se “po derdhej gjak padrejtësisht”. Umm Hudaifa thotë se ajo e akuzoi burrin e saj se kishte gjakun e të pafajshëmve në duart e tij dhe i tha se “sipas ligjit islam ka gjëra të tjera që mund të ishin bërë, si udhëzimi i tyre drejt pendimit”. Ajo përshkruan se si burri i saj komunikonte me liderët e ISIS-it në laptopin e tij.
“Unë u përpoqa të hyja në të për të gjetur se çfarë po ndodhte, por isha analfabete teknologjikisht dhe gjithmonë më kërkonte një kodkalim”- thotë ajo.
Ajo thotë se u përpoq të arratisej, por njerëzit e armatosur në një pikë kontrolli refuzuan ta linin të kalonte dhe e kthyen në shtëpi. Sa i përket luftimeve, ajo thotë për bashkëshortin e saj se për aq sa ajo dinte “ai nuk mori pjesë në asnjë luftë apo betejë”, duke shtuar se ai ishte në Raqqa kur ISIS mori kontrollin e Mosulit, ai udhëtoi për në Mosul më vonë për të shopallur fitoren.
Një burim i sigurisë irakiane na tha se Umaima ishte martuar një herë më parë, në moshën tetë vjeçare, me një zëdhënës sirian të ISIS. Megjithatë, ai tha se martesa e parë ishte rregulluar në mënyrë që burri të mund të hynte në shtëpi kur al-Baghdadi ishte larg, dhe kjo marrëdhënie nuk ishte seksuale. Më pas, në gusht 2014, Umm Hudaifa lindi një vajzë tjetër, Nasiba, e cila kishte një defekt të lindur në zemër. Kjo përkoi me Mansour që solli nëntë vajza dhe gra jezide në shtëpi. Mosha e tyre varionte nga nëntë deri në rreth 30 vjeç.
Umm Hudaifa thotë se ajo ishte e tronditur dhe “ndihej e turpëruar”. Kishte dy vajza të reja në grup, Samar dhe Zena jo emrat e tyre të vërtetë. Umm Hudaifa pretendon se ata qëndruan në shtëpinë e saj në Raqqa vetëm për disa ditë para se të shpërnguleshin. Por më vonë familja u zhvendos në Mosul dhe Samar u rishfaq, duke qëndruar me ta për rreth dy muaj.
Për këtë, Umm Hudaife thotë: “Unë nuk e mohoj që burri im ishte kriminel”, por shton se i vjen shumë keq për atë që u ndodhi atyre dhe mohon akuzat e drejtuara ndaj saj.
Umm Hudaifa thotë se pak më vonë, në janar 2015, ajo u takua shkurtimisht me punonjësen e rrëmbyer të ndihmës amerikane, Kayla Mueller, e cila u mbajt peng për 18 muaj dhe vdiq në robëri. Rrethanat rreth vdekjes së Kayla-s nuk dihen ende në kohën kur IS pretendonte se ajo u vra nga një sulm ajror jordanez, por SHBA-ja gjithmonë e kundërshtoi këtë dhe një burim i sigurisë irakiane tani na ka thënë se ajo ishte vrarë nga IS.
/ZËRI