
BRUKSEL- Një ditë pasi raundi i ri i bisedimeve për dialog mes Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar pa rezultat, Bashkimi Europian nuk e ka fshehur zhgënjimin. Në konkluzionet e tij Këshilli i Europës shprehet i keqardhur që liderët e të dy vendeve nuk gjetën dakortësi.
Ndërkohë përsërisin apelin që palët duhet të bien dakord, pasi normalizimi i marrëdhënieve është e vetmja rrugë drejt integrimit në BE.
“Këshilli Evropian shpreh keqardhje për mungesën e zbatimit nga të dyja palët e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit të saj, si dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit.
Vetë kreu i Këshillit të Europës Charles Michel në një deklaratë për mediat u shpreh se mos realizimi i Marrëveshjes Bazë të nënshkruar në Bruksel më 27 shkurt dhe në Ohër më 18 Mars do të kishte pasoja për palët.
Charles Michel: Një pikë që u përmend nga disa liderë në takimin e sotëm, është që të dy liderët të zbatojnë këto marrëveshje dhe do të jetë shumë e rëndësishme që të kontrollojmë nëse vërtet këto marrëveshje zbatohen. Dhe do të jetë në përgjegjësinë e BE-së për të vlerësuar se cilat janë pasojat nëse këto zbatohen dhe nëse këto nuk zbatohen.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka qenë më i qartë në fjalën e tij. Pas mbarimit të samitit dy ditor në Bruksel, Scholz u tha gazetarëve se Kurti u ku premtuar se do të themelojë Asociacionin.
Olaf Scholz: Kemi premtimin që do të realizojë Asociacionin.
Ndërsa një ditë më parë në një reagim zyrtar Qeveria e Kosovës shprehej se kryeministri Albin Kurti ka qenë dakord për firmosjen e Marrëveshjes, por presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka qenë kundër. Sipas Prishtinës zyrtare, Vuçiç ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët, më 21 tetor 2023.
Por dhe Aleksandër Vuçiç ka qëndrimin e tij. Pas mbarimit të bisedimeve ai u shpreh se është e vështirë të zhvillohen bisedime në të njëjtin nivel me ata që vendosën për pavarësinë e Kosovës. Sipas Vuçiç, çdo gjë do firmoset prej tij, veç nënshkrimit të pavarësisë "de facto/jure" të Kosovës.
Ky proces që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së. Palët arritën dhjetëra marrëveshje për këtë qëllim, por shumë prej tyre nuk u zbatuan kurrë. Një nga to është edhe ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Edhe pse ka marrëveshje nga viti 2013 për të, zyrtarët në Prishtinë thonë se e tillë siç është, do të ndikonte keq në funksionalitetin e shtetit dhe kanë dalë me disa propozime të tjera për rregullimin e çështjeve të komuniteteve pakicë.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë gjatë pasdites të 27 tetorit, deklaroi se Serbia në Bruksel, nuk ka pranuar vetëmenaxhimin e komunave me shumicë serbe, që u vetëofrua nga BE dhe SHBA.
Kurti tha se fakti që Serbia nuk pranoi marrëveshjen për vetëmenaxhim të asocacionit të komunave serbe, dëmton serbët e veriut në radhë të parë dhe më tej, edhe shtetin e Kosovës.
“Serbia refuzoi sërish nënshkrimin, duke refuzuar kështu dhe draftin për vetëmenaxhim apo zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes në lidhje me nenin 10 të marrëveshjes bazike. Qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb kanë të drejta të garantuara dhe të zgjeruara me Kushtetutën e Republikës tonë.
Gjuha serbe është gjuhë zyrtare gjithandej Kosovës, në të gjitha nivelet e administratës. 17% të përfaqësuesve lokalë në kuvendet komunale janë serbë, ndërkaq 10 vende janë ulëse të rezervuara për komunitetin serb në Parlamentin e Republikës së Kosovës, të cilat po bojkotohen dhe nuk po shfrytëzohen.
Ne e dimë që deputetët e shfrytëzojnë vullnetin e lirë që ndonjëherë bëjnë dhe bojkot përkohësisht për ndonjë çështje, mirëpo ta bësh bojkotin tërë kohës, nga pozita e ulëses së rezervuar, ky është një dëm që i bëhet komunitetit serb së pari e më pas shtohet përpjekja për ta dëmtuar shtetin e Kosovës,” – u shpreh Kurti.
Liderët europianë: Kosova të bëjë Asocacionin, Serbia njohjen
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kanë kërkuar nga Kosova që të nisë me procedurat për themelimin e asocacionit të komunavee me shumicë serbe, sipas një draft-statuti, të propozuar nga “pesëshja diplomatike”, më 21 tetor.
Pesëshja diplomatike i kërkon Serbisë, që të njohë njohjen de facto të Kosovës.
Ne letrën publike të tre liderëve europianë, bëhet me dije se Kosovës i bëhet thirrje që të vijojë procedurat për formimin e Asocacionit, ndërsa Serbisë i kërkohet njohja de facto.
“Me qëllim që të dyja palët të vazhdojnë progresin e tyre, ne i bëjmë thirrje Kosovës, që të nisë procedurën për themelimin e Asocacionit, të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draft-statut. Ndërsa, Serbia duhet të vijojë me njohjen de facto të Kosovës”, thuhet në dokument.
Në letrën, që është publikuar në kancelarinë gjermane, thuhet se mirëpritet angazhimi i të dyja palëve, për të themeluar Asocacionin.
“Ne kemi marrë parasysh deklarimet që janë bërë nga liderët e Kosovës dhe të Serbisë, për Asocacionin dhe kemi vendosur këtë draft-statut. Draft-statusi është krejtësisht me frymë europiane, trajton çështjen e ndjeshme të trajtimit të pakicave etnike”, thuhet në letër.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, në një intervistë këtë të premte në TV Pink, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një truk përpara udhëheqësve europianë.
Sipas Vuçiç, Kurti tha të nënshkruhen tri marrëveshje, për shkak se ai e merrte me mend se Serbia nuk do të firmoste.
“Kurti bëri një truk të mirë dje, por që do të zgjasë pak. Ai paraqiti idenë që Prishtina dhe Beogradi të nënshkruajnë tri dokumente. Bëhet fjalë për dy marrëveshjet, në Ohër dhe në Bruksel. Propozoi, sepse e dinte se Serbia nuk pranonte. Ishte e qartë se donte të merrte kohë”, tha Vuçiç.
Kreu i shtetit serb, Aleksandër Vuçiç theksoi se nuk sheh asnjë vullnet nga ana e Kurtit, që të jetësojë Asocacionin e komunave serbe në veriun e Kosovës. Por, sipas tij, Kurti vazhdon që të bëjë persekutim të serbëve në Kosovë. Vuçiç deklaroi se serbët e Kosovës duhet të jenë të qetë, pasi asgjë nuk do të ndodhë.
Në fund të intervistës, Vuçiç tha se Serbia është gati të nënshkruajë çdo deklaratë, përpos njohjes së Kosovës dhe ofrimit të një ulëse për Kosovën në OKB.
Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet për normalizim të marrëdhënieve prej vitesh. Disa marrëveshje janë nënshkruar mes palëve, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar./Zëri.ai/