Bota

Kosova një hap larg anëtarësimit në KiE, vjen reagimi i parë nga Serbia: Ditë e turpshme

Daçiç ka theksuar se Prishtina për 11 vite ka refuzuar formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, që është obligim i tyre ndërkombëtar, si dhe zbatimin e politikës së terrorit ndaj popullit serb dhe spastrimit etnik.

f.t
Kosova një hap larg anëtarësimit në KiE, vjen reagimi i
Ivica Daçiç

SERBI- Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se 16 prilli është “ditë e turpshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, pasi shumica e deputetëve të saj e mbështetën anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime, Asambleja Parlamentare e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë një seance plenare të mbajtur sot në Strasburg.

“Sot është një ditë turpi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Për herë të parë në histori është rekomanduar anëtarësimi në diçka që nuk është shtet dhe që nuk i plotëson kushtet themelore në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut. Ne do ta shohim vlerën e fjalës që bashkësia ndërkombëtare ia dha presidentit Aleksandër Vuçiç, se Kosova nuk do të pranohej në Këshillin e Evropës derisa ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndryshe do të jetë gënjeshtër përsëri”, tha Daçiç, raportojnë mediat e huaja.

Daçiç ka theksuar se Prishtina për 11 vite ka refuzuar formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, që është obligim i tyre ndërkombëtar, si dhe zbatimin e politikës së terrorit ndaj popullit serb dhe spastrimit etnik. 

Pas votimit të Asamblesë Parlamentare çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës. Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës./ZËRI

Poll

MOS HUMB