KOSOVË-Qytetarët e Kosovës u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit, në zgjedhjet e treta parlamentare që mbahen brenda vetëm 16 muajsh. Rreth dy milionë qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.
Qendrat e votimit janë hapur sipas orarit në mbarë Kosovën dhe deri tani procesi po zhvillohet pa incidente të raportuara. Nga 1 milionë e 959 mijë e 962 qytetarë me të drejtë vote, deri tani kanë votuar 52 mijë e 254 zgjedhës.
Në garë marrin pjesë 22 parti politike dhe tre koalicione parazgjedhore. Vetëvendosje garon në koalicion me Guxo, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane, ndërsa PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja konkurrojnë të vetme. Pjesë e kësaj gare është edhe ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila i prin listës për deputetë të LDK-së, partisë ku ishte pjesë përpara mandatit presidencial. E vetme garon edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.
Procesi vjen pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit 2025, ndërsa vendi u rikthye sërish në zgjedhje pas dështimit për të zgjedhur presidentin dhe zgjidhur ngërçin politik.