KOSOVË- Nesër, 7 qershor, Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Nga kjo e shtunë ka nisur votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës për zgjedhjet që do të zhvillohen të dielën, më 7 qershor.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, votimi do të organizohet në 30 misione diplomatike, përkatësisht në 17 ambasada dhe 13 konsullata të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Votimi ka nisur prej orës 07.00 të mëngjesit, ndërsa deri në orën 09.00 kanë votuar 11.24% e votuesve të regjistruar.
Më 7 qershor, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit dhe qeverinë e ardhshme të vendit.
Zgjedhjet u shpallën pasi partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje dështoi të arrinte një marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit të ri që do të pasojë Vjosa Osmanin.
Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, këto janë zgjedhjet e treta për Kuvendin e Kosovës brenda 16 muajve.
Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është mbi 2 milionë votues, gati 16 mijë më shumë se në zgjedhjet e fundvitit të shkuar./ZËRI