
IRAN-Izraeli dhe Irani vazhdojnë të shkëmbejnë raketa dhe kërcënime vdekjeprurëse, me raportime për viktima dhe të plagosur nga të dyja palët.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha: "Ne kemi hapur rrugën për në Teheran. Në një të ardhme shumë të afërt, do të shihni aeroplanë izraelitë, Forcat Ajrore Izraelite, pilotët tanë, mbi qiellin e Teheranit. Ne i kemi dhënë një goditje shumë të rëndë vendit kryesor të pasurimit të uraniumit në Iran dhe, nëse është e nevojshme, do ta godasim përsëri".
Ndërkohë Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka paralajmëruar për një përgjigje "më të ashpër" nëse Izraeli vazhdon sulmet e tij.
"Vazhdimi i agresionit sionist [izraelit] do të përballet me një përgjigje më të ashpër dhe më të fuqishme nga forcat e armatosura iraniane", citohet të ketë thënë Pezeshkian
Izraeli raportoi se të paktën tre persona kishin vdekur dhe dhjetëra të tjerë ishin plagosur pasi sulmet iraniane ranë me shpejtësi mbi Tel Aviv dhe qytetet përreth. Ambasadori i Iranit në OKB raportoi se mbi 70 persona janë vrarë dhe mbi 300 të plagosur si pasojë e sulmeve izraelite. Përshkallëzimi i sulmeve të ndërsjella ka ngritur shqetësime për civilët në të dyja palët.