
GJERMANI- Angela Merkel hyri në histori si gruaja e parë që mbajti postin e kancelares gjermane dhe qëndroi atje për 16 vjet, ndërsa sot feston ditëlindjen e saj të 70-të. Merkel ka lindur në Hamburg 70 vjet më parë, më 17 korrik 1954. Ajo u rrit në Templin në rajonin e Ukermarkut dhe politika nuk ishte synimi i saj. Si vajza e një pastori protestant dhe një fizikanteje, ajo nuk i përkiste lëvizjes së rezistencës në kohën kur jetonte në ish-Republikën Demokratike të Gjermanisë Lindore.
Vetëm me rënien e Murit të Berlinit dhe ndryshimet që pasuan, tek ajo u zgjua dëshira për politikë. Atëherë ishte tashmë në mesin e të tridhjetave, por iu bashkua "Zgjimit Demokratik", një lëvizje vogël civile që më vonë u bashkua në Unionin Demokristian (CDU). Atje, kancelari Helmut Kohl vuri re një grua të re që nuk binte në sy dhe e emëroi atë si ministre në kabinetin e parë në vitin 1990. Ishte një karrierë e rrufeshme.
Prandaj Angela Merkel mori pseudonimin “Vajza e vogël e Kohl”. Për Kohl, Merkel plotësonte dy kuota: ishte grua dhe ishte nga Gjermania Lindore. Angela Merkelit do t'i duhet shumë kohë për të hequr qafe atë imazh si "e përkëdhelura" e Kohl.

Por ky është edhe një nga sekretet e suksesit të saj, sipas Thomas de Mezieres, bashkëpunëtorit të saj politik prej shumë kohësh. Ajo u nënvlerësua nga shumë njerëz, dhe jo vetëm nga burrat në partinë e saj. Ajo nuk u mor seriozisht edhe kur kontribuoi në rrëzimin e Helmut Kohl pas skandalit të donacioneve të CDU dhe kur u bë kryetare partie.
Pragmatizmi si strategji politike
Stili qeverisës i Angela Merkel si kancelare shpesh përshkruhet si pragmatik. Një qasje e moderuar, pragmatike e lejoi atë të udhëhiqte Gjermaninë nëpër kriza të shumta: financiare, ekonomike, etj. Gjatë "mbretërimit" të saj, dukej sikur vendi po i kapërcente të gjitha këto probleme më mirë se vendet e tjera.
Megjithatë, sot ka dyshime. Gazetarja Marina Weisban thotë në një dokumentar: Merkel menaxhoi vetëm krizat, ajo nuk mori vendime strategjike që do të ishin të papëlqyeshme në afat të shkurtër, por të e dobishme në planin afatgjatë.
Ndarja e shoqërisë
Mesazhi i saj “Do t’ia dalim” ende ndan shoqërinë gjermane. Ka nga ata - veçanërisht nga kampet e tjera politike - që e vlerësojnë atë për politikën e saj ndaj refugjatëve. Madje e quajnë humane. Por ka edhe të tjerë që e cilësojnë si të gabuar...pasi sipas tyre, mbingarkoi vendin me njerëz.
Dështime në politikën ndaj Rusisë

Vullneti i Merkelit për të arritur një konsensus nuk u realizua vetëm në një pikë; tek presidenti Vladimir Putin. Putini me të vërtetë negocioi, por më pas bëri atë që mendoi se ishte e përshtatshme. Në dokumentar, gazetarja Marina Weisband, e lindur në Ukrainë, akuzon Angela Merkelin se vetëm e forcoi Putinin. Sipas saj, Merkel dhe Gjermania duhet të kishin dhënë ë shumë ndihmë ushtarake edhe para sulmit rus.
Pra, çfarë ka mbetur nga "kancelarja e përjetshme"?
Deutsche Welle konkludon se bilanci është i përzier. Ka edhe lavde edhe kritika – në varësi të temës dhe kë pyesni për Merkel./ZËRI