
ITALI- Eurodeputetja Francesca Donato ka reaguar për herë të parë lidhur me vdekjen e dyshimtë të bashkëshortit të saj, Angelo Onorato, i cili u gjet pajetë në mjetin e tij. Sipas raportimeve të mediave italiane, ajo shkruan në rrjetet sociale se i kërkon të gjithëve që të mos e komentojnë ngjarjen dhe të mos spekulojnë për vdekjen e të shoqit të saj.
"Po përjetoj momentet më të vështira dhe më shkatërruese të jetës sime. U kërkoj të gjithëve që të mos spekulojnë për shkaqet e vdekjes së bashkëshortit tim. Hetimet po vazhdojnë, le ta zbardhë Policia. Falënderoj nga zemra të gjithë ata të cilët, në këto orë të jashtëzakonshme, patën fjalë dashurie për ëngjëllin tim të dashur dhe treguan afërsi dhe solidaritet për familjen time”.
Por megjithatë, mediat italiane kanë zbuluar të tjera detaje duke shkruar se biznesmeni Onorato i kishte lënë një letër avokatit të tij që t'ja dorëzonte të shoqes në rast se do t'i ndodhte diçka.
Në letër, ai sqaron se ka “vështirësi ekonomike”, duke i listuar pasuritë dhe kreditë që ka në listën e tij. Ndaj për më shumë detaje, avokati është marrë në pyetje nga Policia e Palermos. Ai do të pyetet nga hetuesit për situatën ekonomike të Onoratos për të mësuar ndonjë detaj më shumë lidhur me ndonjë borxh që mund të ketë pasur tek ndonjë person që mund t'i ketë marrë jetën. Po ashtu, hetuesit kanë marrë edhe pamjet filmike të dy kamerave të sigurisë që mendohet se kanë filmuar pranë vendit ku u gjet i pajetë arkitekti.
Më shumë detaje pritet që të zbulojë autopsia e viktimës, por dyshimet janë që mund të jetë vrarë. Kjo për shkak se 56-vjeçari u gjet në sediljen e shoferit me rripin e sigurisë të vënë, por në fyt kishte një litar, i njëjtë me ata që përdorin elektriçistët. Kështu që skenari më i besueshëm është që dikush është futur nga dera e pasme e makinës (e cila u gjet e hapur) dhe i ka marrë jetën arkitektit./ZËRI