
IRAN-Burime nga Teherani i kanë treguar New York Times se, nga frika se mund të vritej, i fshehur në një bunker, Ali Khamenei ka zgjedhur një seri zëvendësuesish në zinxhirin e tij komandues ushtarak, në rast se disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt do të vriteshin.
Por jo vetëm kaq, Khamenei ka emëruar edhe tre figura të larta të klerit si kandidatë për ta pasuar, në rast se ai vritet. Burimet pohojnë se djali i tij i dytë, Mojtaba, i konsideruar më parë si pasues i mundshëm, nuk ndodhet mes emrave të përzgjedhur. Khamenei po merr vendime për të siguruar diktaturën fetare. Në kohë paqeje, udhëheqësi suprem – autoriteti më i lartë fetar dhe politik në vend – zgjidhet nga Asambleja e Ekspertëve, një organ me 88 anëtarë fetarë të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli çdo tetë vjet.
Sipas Kushtetutës iraniane, udhëheqësi suprem duhet të plotësojë disa kushte të veçanta: të jetë teolog dhe jurist islam (faqih), të jetë i drejtë dhe i devotshëm, të ketë njohuri për kohën në të cilën jeton, të tregojë guxim, iniciativë dhe aftësi drejtuese, dhe të gëzojë njohjen si udhëheqës nga shumica e popullsisë./ZËRI