Bota

Izraeli bombardon spitalin e fëmijëve dhe shkollën e OKB-së në Gaza

Ushtria izraelite ka goditur një spital fëmijësh dhe një shkollë të OKB-së, ku ishin evakuuar palestinezët.

D.XH
Izraeli bombardon spitalin e fëmijëve dhe shkollën e OKB-së
Femije ne Gaza

GAZA - Ushtria izraelite të shtunën goditi hyrjen e Spitalit të Fëmijëve Al-Nasr në qytetin perëndimor të Gazës. Kështu thanë autoritetet në enklavë. Disa media lokale palestineze raportuan se për shkak të sulmit u shkaktuan viktima civile.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi se të paktën 12 persona u vranë në një sulm tjetër izraelit në një shkollë të Kombeve të Bashkuara, ku ishin strehuar mijëra palestinezë të zhvendosur. Ministria tha në një deklaratë se të paktën 12 persona ndërruan jetë dhe mbi 54 u plagosën nga sulmi në shkollën Al-Fakhura, e cila pret mijëra njerëz të zhvendosur nga kampi Jabalia në Rripin verior të Gazës.

Ushtria izraelite kohët e fundit ka shënjestruar spitalet palestineze në Rripin e Gazës, duke përfshirë Spitalin Al-Shifa, Spitalin Al-Quds dhe Spitalin Indonezian.

Po ashtu, ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës. Enklava ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore, që nga ofensiva e befasishme e grupit palestinez Hamas më 7 tetor.

Izraeli sulmoi edhe ambulancat në një spital në Gaza, duke vrarë së paku 13 njerëz. Autoritetet izraelite pretenduan se në ambulanca fshihen militantët e Hamasit. Kreu i OKB-së Antonio Gueterres deklaroi se është tmerruar nga pamjet e sulmit në ambulanca, që u shpërndanë dhe në rrjet.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka reaguar për sulmet e fundit të Izraelit. Ai tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk duhet të flasë më, pasi ai ka tejkaluar çdo kufi.

SHBA ka thënë se edhe karburanti në Gaza është duke mbaruar dhe se Uashingtoni po përpiqet të mundësojë atë. Ndërsa Izraeli ka refuzuar gjithmonë që të ketë naftë në enklavë, SHBA thotë se ka një plan për të dërguar karburant e ushqime.

OKB deklaroi se në botë ka një rritje të krimeve me bazë urrejtjen, pas luftës në Lindjen e Mesme. “Kjo luftë ka bërë që të ketë vatra tensionesh kudo. Më së shumti në përpleshje në vende të Europës, SHBA e gjetkë kanë qenë pesona me origjinë izraelite dhe palestineze. Ne kemi parë një rritje të gjuhës së urrejtjes, dhunës dhe diskriminimit, thellimit social dhe polarizimit", tha në një deklaratë shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk.

Më shumë se 10 700 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 9,227 palestinezë, kryesisht fëmijë dhe gra, dhe rreth 1,540 izraelitë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB