Bota

Irani: SHBA, bashkëpërgjegjëse për krimet në Gaza

Lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei deklaroi se SHBA po mbështet Izraelin në krimet e Gazës. Sipas tij, ky fakt, e bën Amerikën bashkëpërgjegjëse në krime ndaj civilëve.

D.XH
Irani: SHBA, bashkëpërgjegjëse për krimet në Gaza
Ali Khamenei

TEHERAN- Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei akuzoi të mërkurën Shtetet e Bashkuara, duke thënë se SHBA-të, janë bashkëpërgjegjëse në krimet që po kryhen në Gaza.

"Amerika është një bashkëpunëtore e qartë e kriminelëve. Shtetet e Bashkuara në një farë mënyre po drejtojnë krimin që po kryhet në Gaza. Duart e amerikanëve janë të ndotura me gjakun e të shtypurve, fëmijëve, pacientëve, grave dhe të tjerëve”, tha Khamenei.

Shtetet e Bashkuara, armiku i betuar i Iranit, ka vendosur dy aeroplanmbajtëse në Mesdheun lindor, në një lëvizje që bëhet për të penguar Iranin dhe Hezbollahun e Libanit, që të mos hyjnë në luftë.

Uashingtoni gjithashtu ka konfirmuar këtë javë se ka dërguar disa këshilltarë ushtarakë në Izrael, si pjesë e mbështetjes së saj për aleatin e ngushtë. Irani, i cili dyshohet se financiarisht dhe ushtarakisht mbështet Hamasin, i përshëndeti sulmet e 7 tetorit ndaj Izraelit, duke i quajtur si një sukses.

Por, republika islamike ka këmbëngulur se nuk ishte e përfshirë në sulm, gjatë të cilit më shumë se 220 njerëz u morën peng. Të martën, Sekretari i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi Iranin se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen ndaj çdo sulmi nga përfaqësuesit e Teheranit.

Izraeli ka bombarduar rëndë Rripin e Gazës që kur persona të armatosur të Hamasit sulmuan qytetet izraelite dhe vranë më shumë se 1400 njerëz, shumica prej tyre civilë.

Ministria e Shëndetësisë e Palestinës, e kontrolluar nga Hamasi, tha të mërkurën se 6545 njerëz janë vrarë në Gaza që nga shpërthimi i konfliktit, duke përfshirë 2704 fëmijë.

Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më shumë se 7200 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e përgjakshme të të dyja palëve./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB