
IRAN- Jehona e përshkallëzimit të konfliktit izraelito-palestinez ka arritur edhe në kufijtë e Iranit. Një oficer i lartë i inteligjencës në Teheran, Mohammed Akiki, me sa duket ishte viktimë e një sulmi në kryeqytet dhe tani ndodhet në kujdesin intensiv në spital. Sipas mediave të huaja, gjendja e tij thuhet të jetë kritike.
Shkrimtari izraelit Amir Tsarfati foli për të shtëna me armë zjarri, por dinamika e ngjarjeve është ende e paqartë.
Akiki është pjesë e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, të ashtuquajturit Pasdaran, i krijuar në vitin 1979 nga Ayatollah Khomeini me qëllim të mbrojtjes së regjimit nga forcat e brendshme disidente, por edhe nga armiqtë përtej kufirit. Mesazhi duket të jetë i qartë: nëse Teherani do të konsideronte një ndërhyrje në mbështetje të palestinezëve, duket se Izraeli është gati për reagim.
"Jerusalem Post" raportoi më herët se Irani i kishte dërguar një mesazh privat Izraelit përmes OKB-së se mund të ndërhynte nëse Izraeli vazhdon fushatën ushtarake në Gaza. Sipas raportimit të mediave vendase, Teherani kishte paralajmëruar për "pasoja të gjera" nëse bombardimet e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit në Gaza nuk ndaleshin, e bashkë me ta rrezikohet edhe ndërhyrja e grupit militant libanez Hezbollah.
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir Abdollahian u takua me koordinatorin special të OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Tor ëennesland, të shtunën në Bejrut për të diskutuar situatën. Amirabdollahian më vonë u takua me liderin e Hamasit Ismail Haniyeh në Doha të Katarit dhe të dy ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin për të arritur qëllimet e përbashkëta./Zëri.ai