Bota

Tërmeti në Afganistan/ Shkon mbi 1000 numri i viktimave, kërkohet për të mbijetuar

Autoritetet shprehen se njerëzit e prekur nga fatkeqësia natyrore kanë nevojë për ushqime, strehim dhe ilaçe

D.XH
Tërmeti në Afganistan/ Shkon mbi 1000 numri i viktimave, kërkohet
Pamje nga tërmeti me mbi 1000 të vdekur në Afganistan

HERAT - Ekipet e shpëtimit po gërmojnë për të mbijetuar nga një tërmet i fuqishëm që rrafshoi fshatra të tëra në Afganistan, duke vrarë më shumë se 1 000 njerëz.

Tërmeti me magnitudë 6.3 ballë Righter goditi mëngjesin e së shtunës në provincën Herat, një zonë që ka një peizazh të djerrë, mbushur me shtëpi me tulla balte. Banorët ende përdorin lopata dhe duar pa doreza, për të kërkuar të zhdukurit. OKB deklaroi se më shumë se 500 persona rezultojnë të humbur.

Ndihma, e vonuar nga rrugët e bllokuara dhe  infrastruktura e dobët, filluan të vijnë për komunitetin vetëm të hënën. Tërmeti goditi Zindajan, një qark rural rreth 40 km (25 milje) nga qyteti i Heratit, ku "100% e shtëpive vlerësohet të jenë shkatërruar plotësisht". Këto të dhëna u nxorën në një raport të Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

Shumë shtëpi janë rrënuar nga goditja e fortë e tërmetit, pasi banesat janë ndërtuar prej balte apo guri, duke qenë lehtësisht të rrënueshme.  "Ne erdhëm në shtëpi dhe pamë se nuk kishte mbetur asgjë. Gjithçka ishte kthyer në baltë," tha një banor , i quajtur Nek Mohammad për agjencinë e lajmeve AFP. “Ne filluam të gërmojmë me lopata dhe çfarëdo sendi që kishim për të shpëtuar gra dhe fëmijë nga rrënojat”, shtoi ai.

Qeveria talebane dhe agjencitë e ndihmës fillimisht u përpoqën të vlerësonin numrin e të vdekurve dhe sa persona janë të zhdukur. Autoritetet nuk kanë të dhëna të sakta sa banorë ka në këto zona të largëta.

Zona është gjithashtu e banuar nga komunitete të zhvendosura nga lufta dhe thatësira, duke e bërë të vështirë për administratën lokale të dijë saktësisht se sa njerëz kanë jetuar atje. Mbi 1600 individë kanë shkuar në spitale për kurim, ndërsa kushtet në spitale lënë shumë për të dëshiruar. Shumë prej të plagosurve u dërguan në Spitalin Rajonal të Heratit, ku ekipet nga shoqata bamirëse mjekësore Medecins Sans Frontières (MSF) ndodhen aty që nga e shtuna.

"Për fat të mirë, shumica e pacientëve që mbërrijnë janë raste jo urgjente",  thotë Prue Coakley, përfaqësuesja në detyrë e vendit për shoqatën mjekësore në Afganistan. “Shumë pacientë nuk kanë shtëpi ku të kthehen, prandaj shumë individë po qëndrojnë në spital”, deklaroi Coakley.

OKB thotë se shumica e të mbijetuarve të tërmetit që po trajtohen janë gra dhe fëmijë. Qeveria talebane ka thënë se të mbijetuarit kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë të pijshëm, ilaçe, rroba dhe tenda për strehim. Disa agjenci kanë dërguar ndihmë, duke përfshirë Kryqin e Kuq Afgan, MSF-në, Programin Botëror të Ushqimit dhe Unicef-in. Por, agjencitë e huaja thonë se vendi i varfër ka nevojë për më shumë ndihmë.

Afganistani është përfshirë nga një krizë ekonomike që nga marrja e pushtetit nga talibanët në vitin 2021, kur ndihma e dhënë drejtpërdrejt qeverisë u ndal. Pak vende kanë premtuar para që nga tërmeti i së shtunës. Shoqata e Kryqit të Kuq të Kinës ka ofruar 200 000 dollarë (164 220 £) ndihmë urgjente në para.

Pakistani fqinj ka thënë se është në kontakt me zyrtarët afganë dhe do të “përpiqen për të dhënë të gjithë mbështetjen e mundshme për rimëkëmbje". Afganistani goditet shpesh nga tërmetet, veçanërisht në vargun malor Hindu Kush, pasi ky vend shtrihet pranë kryqëzimit të pllakave tektonike euroaziatike dhe indiane.

Në qershor të vitit të kaluar, provinca e Paktikës u godit nga një tërmet me magnitudë 5.9 ballë Righter, i cili vrau më shumë se 1000 njerëz dhe la dhjetëra e mijëra të pastrehë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB