
GAZA – Lufta mes Izraelit dhe Hamasit vazhdon, teksa ushtria izraelite është betuar të shkatërrojë grupin militant palestinez.
IDF (ushtria e Izraelit) ka hyrë tashmë në Gaza dhe luftimet po zhvillohen në enklavë, ku ka të vrarë e të plagosur edhe në mesin e civilëve.
Por, çfarë ka ndodhur deri tani me 200 pengjet e Hamasit?
Që kur Hamasi rrëmbeu më shumë se 200 njerëz gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael, katër pengje janë liruar, më shumë se 50 janë vrarë dhe një është shpëtuar.
Kronologjia
7 tetor: Hamasi nis një sulm të paprecedentë ndaj Izraelit, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 200 civilë dhe ushtarë të IDF. Hamasi tha se pengjet janë fshehur në vende dhe tunele të sigurta brenda Gazës. Izraeli filloi pas kësaj, sulmin e tij në Rripin e Gazës.

20 tetor: Gati dy javë pas sulmit, lirohen pengjet e parë. Një nënë dhe një vajzë nga SHBA u liruan për arsye humanitare. Kështu së paku deklaroi Hamasi.
24 tetor: Lirohen edhe dy pengje të tjera, ata janë 85-vjeçarja Yocheved Lifschitz dhe 79-vjeçarja Nurit Cooper. Lifschitz i shtrëngoi dorën njërit prej pengmarrësve të saj, ndërsa po lihej e lirë. Ajo tha se udhëtimi në Gaza ishte i dhunshëm, por sapo arritën atje, grupi militant palestinez “e trajtoi mirë”.
26 tetor: Zëdhënësi i krahut ushtarak të Hamasit tha se rreth 50 pengje janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza.

29 tetor: Ushtarja izraelite Ori Megidish shpëtohet nga IDF. Gjendja e saj shëndetësore paraqitej e qëndrueshme.
30 tetor: IDF njofton vdekjen e izraelito-gjermanes Shani Louk pas testimit të një kampioni të ADN-së të marrë nga një pjesë e një kocke të kafkës në Gaza. Trupi i saj ende nuk është gjetur.

17 Nëntor: Trupat e dy pengjeve gjenden në një ndërtesë pranë spitalit al-Shifa në Gaza - një ushtareje izraelite, Noa Marciano dhe një gjyshe 65-vjeçare e quajtur Yehudit Ueiss. Një nga dy pengjet nga Tanzania konfirmohet gjithashtu se ka vdekur, megjithëse rrethanat rreth vdekjes janë të paqarta.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa ushtria izraelite ka hyrë në Gaza. Më tepër se 13500 njerëz kanë vdekur nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/