Bota

'Hidheni jashtë si qen'/ Trump kërkon shkarkimin e gazetares së CNN

Përmes Truth Social, Trump akuzon Bertrand për lajme të rreme dhe kërkon që ajo të hidhet jashtë punës "si qen".

k.m.
'Hidheni jashtë si qen'/ Trump kërkon shkarkimin e gazetares
Donald Trump dhe Natasha Bertrand

SHBA- Një sulm i ri online kundër mediave kryesore amerikane, CNN dhe New York Times, u nis përsëri të mërkurën në mbrëmje, më 25 qershor, nga Donald Trump, si një "nevojë" e tij për të mbrojtur efektivitetin e sulmeve të fundit amerikane ndaj Iranit. Ndaj edhe nisi një sulm të ashpër ndaj gazetares së CNN, Natasha Bertrand, pas raportimit të medias amerikane mbi programin bërthamor të Iranit. Trump kërkoi shkarkimin e korrespondentit të CNN pas artikulit se sulmet e SHBA-së në Iran nuk kishin pasur efektivitetin që përflitej. Diçka që administrata Trump e ka mohuar vazhdimisht.

Përmes Truth Social, Trump akuzon Bertrand për lajme të rreme dhe kërkon që ajo të hidhet jashtë punës "si qen".

'Hidheni jashtë si qen'/ Trump kërkon shkarkimin e gazetares
Donald Trump dhe Natasha Bertrand

Postimi i Trumpit

Natasha Bertrand duhet të pushohet nga puna nga CNN! E pashë për tre ditë duke transmetuar lajme të rreme. Ajo duhet të qortohet MENJËHERË dhe pastaj të hidhet jashtë "si qen". Ajo gënjeu për historinë e armëve bërthamore, duke u përpjekur të demoralizonte pilotët tanë Patriot, duke i bërë ata të dukeshin keq, kur në realitet ata po bënin një punë të shkëlqyer! Ajo nuk duhet të lejohet të punojë në CNN për lajme të rreme. Janë njerëz si ajo që kanë shkatërruar reputacionin e një rrjeti dikur të shkëlqyer. Qëndrimi i saj ishte kaq negativ, plus që ajo nuk ka atë që duhet për të qenë një korrespondente para kameras. Pushojeni Natashën!

Përgjigja e CNN-it

Në një deklaratë për The Hill, CNN thotë se mbështet 100% Natasha Bertrand dhe versionin e saj dhe të kolegëve të saj mbi vlerësimin e hershëm të inteligjencës për sulmin amerikan ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

“Raportimi i CNN e bëri të qartë se ky është një zbulim fillestar që mund të ndryshojë me informacione shtesë. Megjithatë, ne nuk besojmë se është e arsyeshme të kritikojmë gazetarët e CNN për raportimin e saktë të vlerësimit dhe karakterizimin e saktë të gjetjeve, të cilat janë në interes të publikut,”- tha një zëdhënës i rrjetit.

Por inatin Trump nuk e kishte vetëm me CNN, por edhe me NYT. Donald Trump akuzoi dje gazetarët nga të dy rrjetet se po përpiqeshin që të minimizonin punën e shkëlqyer.

Postimi i Trumpit:

Sapo e kapëm gazetën e dështuar New York Times, duke bashkëpunuar me CNN dhe lajme të rreme, duke mashtruar përsëri! Ata u përpoqën të minimizonin punën e shkëlqyer që po bënin pilotët tanë të B-2, dhe gabuan. Këta gazetarë janë thjesht NJERËZ TË KËQIJ DHE TË SËMURË. Ata duhet të jenë krenarë për suksesin e madh që kemi pasur, në vend që të përpiqen gjithmonë ta bëjnë vendin tonë të duket keq. SHKATËRRIM TOTAL!

Por kush është Natasha Bertrand?

Sipas biografisë së saj në faqen e internetit të CNN, Natasha Bertrand është një korrespondente e sigurisë kombëtare për rrjetin, me seli në Uashington. Natasha Bertrand ka mbuluar raste të profilit të lartë, duke përfshirë përdorimin e gjerë të bombave nga Izraeli në Gaza dhe mbulimin e çështjes rreth shtrimit në spital të Sekretarit të Mbrojtjes, Lloyd Austin. Ajo luajti një rol të rëndësishëm në zbulimin e dosjes së zhdukur të inteligjencës ruse gjatë administratës Trump dhe ishte pjesë e ekipit fitues të çmimit Emmy që mbuloi pushtimin rus të Ukrainës.

Në të kaluarën, Bertrand ka mbuluar sigurinë kombëtare dhe politikën për disa media, duke përfshirë POLITICO, The Atlantic dhe Business Insider. Ajo u diplomua nga "Vassar" në vitin 2014 për shkenca politike dhe filozofi. Ndërsa punonte në Business Insider, ajo u kritikua për raportimin e saj mbi të ashtuquajturin "dosja Steele", e cila përmbante akuza për lidhjet e Trump me Rusinë. Në veçanti, gazetarja u akuzua se i kishte dhënë shumë besueshmëri dosjes, përmbajtja e së cilës nuk u vërtetua kurrë./ZËRI

Poll

MOS HUMB