EKUADOR- Fytyra e yllit të futbollit të Norvegjisë, Erling Haaland, është shfaqur në tabela reklamash, karta tregtare dhe ekrane televizive, duke u bërë një fenomen në mediat sociale për shkak të shënimit të shtatë golave në katër ndeshje të Kupës së Botës në korrik.
Tani, policia në Ekuador e ka gjetur atë në një vend të papritur, në pakot drejtkëndëshe jeshile që përbënin një ngarkesë kokaine të sekuestruar në një kamion pranë kufirit me Kolumbinë.
Shoferi i automjetit u arrestua pas sekuestrimit të 469 kilogramëve kokainë të mërkurën, tha policia, por nuk dha asnjë shpjegim për afishet me imazhin e sulmuesit norvegjez me flokë të artë.
Një njoftim për shtyp tha se agjentët kundër narkotikëve po kryenin një operacion pas një informacioni anonim të marrë herët të martën në mëngjes në Autostradën Pan-Amerikane, kur vunë re një kamion të dyshimtë.
Pasi e kontrolluan, ata gjetën 370 pako të fshehura në një fund të rremë të automjetit me vlerë 14.5 milionë paund në Evropë.
Autoritetet nuk kanë dhënë një shpjegim për përdorimin e imazhit të Haaland në paketimet e drogës.
Nuk ka asnjë sugjerim që dërgesa të ishte e lidhur me Haaland, videoja më e fundit e të cilit në YouTube titullohej: “A po e kalon Erling Haaland verën më të mirë ndonjëherë?”
Megjithatë, është praktikë e zakonshme që trafikantët e drogës t’i etiketojnë dërgesat e tyre me emrat e figurave të njohura të sportit dhe personazheve të tjerë të famshëm, si një mënyrë për të sinjalizuar se cili rrjet kriminal e prodhoi mallin dhe kujt klienti i përket ai.
Ky nuk është rasti i parë kur imazhi i një futbollisti të njohur shfaqet në paketime droge. Në një tjetër sekuestrim, autoritetet kanë gjetur edhe imazhin e Lionel Messit në një pako.
Ekuadori konsiderohet si një qendër logjistike për trafikimin e drogës, ku drogat grumbullohen, ruhen dhe shpërndahen nëpërmjet rrugëve të Amerikës Qendrore kryesisht në Shtetet e Bashkuara, megjithëse narkotikët dërgohen edhe në Evropë./ZËRI