
MAQEDONIA E VERIUT- Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler ka reaguar në rrjetin social X në lidhje me shpalljen në Listën e Zezë të Artan Grubit dhe gjykatësit Enver Bexheti. Ambasadorja e ka cilësuar veprimin si dëshmi se ndërhyrjet politike në gjyqësor nuk mund dhe nuk do të tolerohen.
“Përzgjedhja e sotme e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit është dëshmi se ndërhyrjet politike në gjyqësor nuk mund dhe nuk do të tolerohen. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të emërojnë ata që përfshihen në korrupsion që minon institucionet demokratike dhe gërryen besimin publik. Askush nuk është mbi ligjin dhe llogaridhënia është thelbësore për përparimin,” shkruan ambasadorja Ageler.
Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli ‘non grata’ dy zyrtarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Në Listën e Zezë është futur Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe Enver Bexheti, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut. Ata janë të përfshirë në korrupsion duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkov.
“Në bazë të Seksionit 7031(c), Departamenti i Shtetit ka përcaktuar publikisht Artan Grubin dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion të rëndësishëm duke pranuar ryshfete për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkov, drejtor i Administratës për Siguri dhe Kundërzbulim (UBK) të Maqedonisë së Veriut. Mijalkov u përcaktua në vitin 2022 për korrupsion të rëndësishëm sipas Seksionit 7031(c) dhe u sanksionua nga OFAC në bazë të Urdhrit Ekzekutiv 14033. Si pjesë e këtij veprimi, anëtarët e menjëhershëm të familjes së Grubit gjithashtu janë përcaktuar”, shkruhet në njoftimin e DASH.
Lidhur me këtë vendim reagoi dhe vetë Grubi, i cili përmes një statusi në faqen e tij në Facebook shprehet se nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë vendim. Por shton se tashmë ka një "mision"./ZËRI