Bota

Greqia mban sot zgjedhjet lokale, në garë edhe një 102-vjeçar

Fituesit marrin mandatin e tyre 5 vjeçar në 1 janar 2024. Të drejtë vote kanë të gjithë qytetarët që kanë mbushur moshën 17 vjeç dhe janë të regjistruar në listën zgjedhore të bashkisë

E.K
Greqia mban sot zgjedhjet lokale, në garë edhe një
Greqia mban zgjedhjet lokale

GREQI- Greqia mban sot zgjedhjet lokale, 4 muaj pas atyre parlamentare, ku rreth 10 milionë qytetarë do të vendosin për të zgjedhur përfaqësuesit e pushtetit lokal. Procesi ka nisur në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm, dhe do të vijojë deri në orën 19:00 pasdite.

Kryeministri dhe presidenti i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, do të votojë në Liceun I të Kifisisë në orën 10:00. Presidentja e Republikës Katerina Sakellaropoulou do të votojë në orën 12:00 në Liceun e Përgjithshëm të 21-të të Athinës, ndërsa Presidenti i SYRIZA-s Stefanos Kasselakis në shkollën fillore Ekali në orën 12:00.

Presidenti i PASOK-ut, Nikos Androulakis do të ushtrojë të drejtën e votës në orën 10:30 në Shkollën e 13-të Fillore të Heraklion, Kretë, ndërsa Dimitris Koutsoubas në gjimnazin e 2-të të Nea Jonisë në orën 10:30.

Janë 1222 formacione lokale që pretendojnë këshillat e 332 bashkive të vendit, ndërsa 78 të tjera luftojnë për 13 qarqet e Greqisë, 12 prej të cilave mbahen nga konservatorët në fuqi, të cilët shpresojnë të fitojnë edhe qarkun e Kretës.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, ka thënë se partia e tij Demokracia e Re përveç tyre, mbështet hapur edhe kandidatët për kryetarë në 3 bashkitë më të mëdha të vendit ato të Athinës , të Pireut dhe të Selanikut. Luftë e fortë politike zhvillohet sidomos në zonën e Thessalisë që u përmbyt dy herë brenda një muaji dhe ende mijëra hektarë tokë ndodhen nën ujë.

Pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale e kanë deklaruar 151.766 kandidatë, ose gati 2% të shtetasve grekë që jetojnë në vend. Prej tyre 63.906 janë kandidatë për këshilltarë bashkiakë, 7.395 për këshilltarë qarku dhe 80.465 për këshilltarë komunalë. Është për tu veçuar fakti se ka edhe fletëvotimi të gjata 1 metër për shkak të numrit të madh të kandidatëve të një formacioni zgjedhor.

Madje nga përpunimi i të dhënave rezulton se për këshilltar bashkiak në Pire pretendon të zgjidhet një 102-vjeçar. Gjithashtu ka edhe disa kandidatë për këshillat, 96 dhe 98 vjeç. Në ndryshim nga zgjedhjet e kaluara, fitues do të jetë prej raundit të parë çdo formacion apo kandidat për kryetar bashkie dhe qarku në rast se përqendron mbi 43% të votave.

Fituesit marrin mandatin e tyre 5 vjeçar në 1 janar 2024. Të drejtë vote kanë të gjithë qytetarët që kanë mbushur moshën 17 vjeç dhe janë të regjistruar në listën zgjedhore të bashkisë. Edhe kësaj here nuk mungojnë në listat e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë apo qarku shtetasit shqiptarët që kanë të drejtë vote në Greqi./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB