
GREQI- Kameramani i ERT-së, njeriu që pikasi dhe gjeti trupin e prezantuesit të BBC-së ka rrëfyer për mediat greke se çfarë ka përjetuar në ato momente. Ai shprehet se ka qenë bashkë me kolegët në momentin që ka pikasur trupin e Michael Mosley mbi ujë, teksa po filmonte.
“Të gjithë ne gazetarët ishim ulur në këtë bar kafe dhe vendosëm të shkonim me varkë dhe të merrnim disa pamje nga deti. Gjatë udhëtimit pashë disa gjëra në det pranë shkëmbinjve që zmadhuam nuk pamë asgjë. Dhe kur shkuam në plazhin e Agia Marinës, vura re në fund të plazhit, diçka të zezë. Nuk isha i sigurt. Zmadhova me kamerën aq sa munda, ishte rreth 300 metra larg. Pashë diçka për të cilën nuk isha i sigurt. I thashë kryetarit që ishte ulur në të majtën time dhe ai tha kur të kthehemi do të kontrollojmë përsëri. Kështu bëmë. U afruam rreth dyqind metra dhe unë zmadhova përsëri, por rezolucioni ishte i ulët. Kështu që, u kthyem në kafene dhe bëmë një foto të ekranit me Iphone. Ne zmadhuam përsëri dhe më pas pamë qartë se ishte një burrë i shtrirë me dorën në bark,”- përshkroi fillimisht ai.
“Përshkrimi ishte saktësisht i njëjtë me njeriun që po kërkonim. Me vjen vertet keq per familjen. Më vjen keq që isha unë që e gjeta”, tha kameramani i ERT dhe shpërtheu në lot.
I pyetur nga gazetari nëse janë bërë kërkime në vendngjarje, ai tha: “Ata po kërkonin nga ana tjetër e malit. Dje helikopteri po kërkonte pikërisht mbi këtë vend. Kishte dronë, kishte gjithçka. Nuk e di. Ishte fat i keq që e gjeta unë”.
Mosley ishte zhdukur që të mërkurën.