Bota

Gazetarja italiane Cecilia Sala arrestohet në Teheran, e kanë futur në një qeli izolimi

Cecila Sala është ndaluar prej nëntë ditësh në burgun Evin, në Teheran ku edhe ndodhet në një dhomë izolimi.

k.m.
Gazetarja italiane Cecilia Sala arrestohet në Teheran, e kanë futur
Cecilia Sala

TEHERAN- Gazetarja italiane Cecilia Sala, redaktore e gazetës "Il Foglio" dhe krijuese e podcastit "Stories për Chora Media" është arrestuar në Iran. Sipas raportimeve të mediave të huaja, Sala është ndaluar prej nëntë ditësh në burgun Evin, në Teheran ku edhe ndodhet në një dhomë izolimi. Kjo qendër është e njohur për strehimin e disidentëve të arrestuar nga regjimi iranian. Siç njoftoi Ministria e Jashtme Italiane (Farnesina Palace) të premten, më 27 dhjetor, ambasadorja italiane në Iran, Paola Amadei ka mundur të takojë Salën për herë të parë në burg mëngjesin e sotëm. Këtë lajm e ka konfirmuar gazeta "Corriere della Sera".

Sala udhëtoi për në Teheran më 12 dhjetor nga Roma me një vizë pune gazetareske të vlefshme për një javë. Gjatë qëndrimit të saj në Iran, ajo kreu intervista dhe dërgoi raporte për podcast-in e saj në Itali. Por edhe pse ishte planifikuar që ajo të kthehej në Itali më 20 dhjetor, u zhduk një ditë më parë.

Kompania "Chora Media", e drejtuar nga Mario Calabresi, së bashku me partnerin e tij, gazetarin Daniele Raineri të "Il Post", lajmëruan menjëherë Njësinë e Krizave të Ministrisë së Jashtme italiane për humbjen e kontaktit me Salan. Më 20 dhjetor, kur ajo nuk hipi në fluturimin e saj për në Romë, Sala arriti të bënte një telefonatë të shkurtër me nënën e saj, duke konfirmuar se ishte arrestuar. Në një telefonatë të dytë me Raineri, ai vuri në dukje se ajo ishte mirë, por kërkoi që të nisin përpjekjet për ta liruar atë nga prangat.

"Jam mirë, por nxitoni,"-u tha ajo kolegëve të saj.

Ndaj saj ende nuk është ngritur asnjë akuzë specifike, por autoritetet iraniane aludojnë për "sjellje të paligjshme". Situata ka shkaktuar shqetësim, duke qenë se Sala u arrestua në prag të kthimit të saj në Itali dhe mbetet e paraburgosur në kushte të ngjashme me ato me të cilat përballet blogerja italiane Alessia Piperno, e ndaluar në të njëjtën qendër në vitin 2022 dhe e liruar pas 45 ditësh falë përpjekjeve diplomatike. Rrethanat e sakta të arrestimit të saj ende nuk janë detajuar nga autoritetet iraniane./ZËRI

Poll

MOS HUMB