Bota

Franca në ‘shënjestër’ të terroristëve? 14 aeroporte marrin kërcënime për bomba

Ministri i Transportit të shtetit francez, Clement Beaune ka paralajmëruar se çdo person, që jep alarm fals për bombë, mund të dënohet 2 vite burg dhe gjobë 30 mijë euro.

D.XH
Franca në ‘shënjestër’ të terroristëve? 14
Aeroporti i Bordose

FRANCË- Të paktën 14 aeroporte franceze morën kërcënime për bomba këtë të enjte, 19 tetor, dhe të paktën 8 prej tyre janë evakuuar.

Kjo vjen, pasi Franca ka marrë një sërë alarmesh për bomba gjatë javës së kaluar, që rezultuan false. Shumica e aeroporteve kryesore të Francës, me përjashtim të dy më të mëdhenjve të saj në Paris, u evakuuan përkohësisht të mërkurën, ndërsa 130 fluturime u anuluan.

Sot, evakuimet u përqendruan në aeroporte me kapacitete të vogla si Brest, Carcassonne, Bordeaux dhe Montpellier. Autoriteti i aviacionit DGAC, konfirmoi kërcënimet me bombë.

Franca, e cila ka popullsi të madhe hebreje dhe myslimane, ka qenë në gatishmëri të lartë që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit dhe që kur një mësues u vra javën e kaluar nga një agresor, i cili ishte betuar për besnikëri ndaj grupit ekstremist të Shtetit Islamik.

"Alarmet mund të jenë edhe false, por se ne duhet të marrim masa, që rreziqet të jenë zero”, tha një zëdhënës i aeroportit të  Bordeaux.

Ministri i Transportit Clement Beaune shkroi në X të mërkurën se lajmërimet e rreme janë të rrezikshme dhe të papranueshme, duke shtuar se personat që japin alarme të rreme, rrezikojnë dy vjet burg dhe një gjobë prej 30 000 euro.

Muzeu i Luvrit dhe Pallati i Versajës kanë marrë gjithashtu kërcënime ditët e fundit, duke çuar në mbyllje të përkohshme të tyre./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB