
KOSOVË- Një kontingjent prej 200 ushtarësh britanikë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit dhe më shumë se 130 trupa shtesë nga Rumania kanë arritur në Kosovë këtë të enjte për të përforcuar trupat e KFOR në Kosovë. Kjo lëvizje vjen pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.
“Dislokimi vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon për të përmirësuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe patrullimin përgjatë vijës kufitare administrative”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Sipas KFOR-it, shtimi i trupave të KFOR-it “bazohet në një kërkesë të Komandantit Suprem të Aleatëve të NATO-s në Evropë dhe u miratua nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut si një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”, raporton Telegrafi.
NATO ka udhëhequr një operacion paqeruajtës në Kosovë që nga viti 1999 në përputhje me mandatin e saj sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. KFOR-i aktualisht përbëhet nga mbi 4.500 trupa të kontribuar nga 27 aleatë dhe partnerë të NATO-s./Zëri.ai