
KAIRO- Një zbulim i ri arkeologjik në Egjipt po trondit komunitetin shkencor dhe po ringjall teoritë rreth qytetërimeve të lashta e të humbura. Një ekip studiuesish italianë njoftoi zbulimin e një qyteti të dytë nëntokësor nën Piramidën e Menkaureut, duke mbështetur pretendimin e tyre të diskutueshëm se Piramidat e Gizës janë të lidhura me një rrjet të gjerë nëntokësor strukturash që shtrihen deri në 2,000 metra nën sipërfaqen e tokës.
Ekipi, i cili bëri bujë marsin e kaluar kur njoftoi zbulimin e strukturave nëntokësore nën Piramidën e Kheprit, tani është rikthyer me të dhëna të reja tomografike.
"Ne besojmë se piramidat janë vetëm maja e ajsbergut. Provat tona tregojnë për një sistem të gjerë tunelesh dhe dhomash nëntokësore, një lloj 'megastrukture' nën pllajën e Gizës,"-tha Filippo Biondi, një ekspert radarësh në Universitetin e Strathclyde në Skoci për Daily Mail.
Reagimet shkencore dhe skepticizmi
Përgjigja nga komuniteti arkeologjik ishte e fortë. Egjiptologu i shquar Dr. Zahi Hawass i hodhi poshtë kategorikisht pretendimet, duke i quajtur ato "budallallëk" dhe teknikisht të pamundura.
“Asnjë radar që depërton në tokë nuk mund të depërtojë kaq thellë në tokë dhe të japë rezultate të besueshme në një thellësi të tillë,”- tha ai. Pavarësisht kritikave, ekipi hulumtues deklaron se mbështetet në analizën objektive të të dhënave tomografike dhe vazhdon kërkimin e tij pa u dekurajuar.

Një teori rreth një qytetërimi prehistorik 38,000-vjeçar
Sipas shkencëtarëve italianë, strukturat nëntokësore mund të jenë ndërtuar rreth 38,000 vjet më parë nga një qytetërim i humbur që u zhduk pas një katastrofe globale - ndoshta një përplasjeje me një kometë - 12,800 vjet më parë. Kjo hipotezë mbështetet nga gjeologu Dr. James Kennett i Universitetit të Kalifornisë, i cili ka studiuar rastin e ndikimit të kometës që shkatërroi kulturën Clovis në Amerikën e Veriut për vite me radhë.
"Ka gjurmë të qarta gjeologjike të përplasjes së kometës në zona të tilla si Abu Hurayra në Siri, kjo zonë ka një distancë relativisht e shkurtër nga Egjipti,"- theksoi ai.
Lidhja me mitologjinë e lashtë egjiptiane
Ajo që është mbresëlënëse është se gjetjet thuhet se janë në përputhje me rrëfimet mitologjike të Egjiptit të lashtë. Në Tempullin e Edfusë, mbishkrimet e njohura si "Tekstet e Edfusë" përshkruajnë ekzistencën e një "zone të shenjtë" që u shkatërrua nga një "gjarpër armiqësor" - një metaforë që, sipas studiuesve si Andrew Collins, ndoshta nënkupton kometat. Collins pohon se mbishkrimet përshkruajnë objekte nëntokësore ku "objekte të shenjta" ruheshin nga një popull misterioz i njohur si "Pleqtë". Sipas tij, këto referenca lidhen drejtpërdrejt me teorinë e një kompleksi nëntokësor poshtë Gizës.

Një pikë kthese në historinë e njerëzimit?
Pavarësisht reagimeve të forta, mbështetësit e këtyre teorive këmbëngulin që gjetjet duhet të çojnë në një rishqyrtim të kronologjisë zyrtare të historisë njerëzore.
“Kultura gravetiane në Rusi, 30,000 vjet më parë, ndërtoi struktura, vishte rroba të qepura dhe mund të ketë studiuar orbitën e Hënës. Është e mundur që shoqëritë e organizuara të kenë ekzistuar shumë kohë para asaj që ne e konsiderojmë fillimin e qytetërimit,”-shtoi Collins.

Realitet apo trill fantastiko-shkencor?
Përgjigjia mbetet e hapur. Hulumtimi i ekipit italian nuk është rishikuar ende nga kolegët dhe nuk është botuar në një revistë shkencore. Megjithatë, ai tashmë ka tërhequr vëmendjen e publikut të gjerë - dhe të personazheve të famshëm si Joe Rogan - dhe po ringjall debatin rreth asaj që fshihet vërtet nën rërën e Gizës.
Derisa të konfirmohen përmes kërkimeve dhe gërmimeve të pavarura, këto gjetje do të luhaten midis zbulimit të jashtëzakonshëm dhe teorisë së konspiracionit. E vetmja gjë e sigurt është se piramidat, edhe katër mijë vjet pas ndërtimit të tyre, vazhdojnë të ngrenë pikëpyetje./ZËRI