
MADRID - Mbipopullimi i azilkërkuesve afrikanë mbizotëron në aeroportin e Madridit, gjë që ka detyruar qeverinë spanjolle të vazhdojë me lëshimin urgjent të vizave speciale të hyrjes.
Me origjinë nga Senegali, Maroku, Somalia, Mali, Kenia dhe Mauritania, qindra emigrantë të paligjshëm kanë ‘përmbytur’ aeroportin Barajas javët e fundit. Vetëm në janar, sipas shifrave zyrtare, në aeroport janë regjistruar 864 azilkërkues. "Mbipopullimi dhe kushtet sanitare të këqija kanë arritur një nivel kritik, me shfaqjen e çimkave, grumbullimin e mbeturinave, njerëzit janë detyruar të flenë në dyshekë që fryhen dhe shpesh nuk kanë as vend", u ankua Komiteti Spanjoll për Ndihmën e Refugjatëve, CEAR, një organizatë joqeveritare që ka prezencë në aeroport.
Kryqi i Kuq vendosi javën e kaluar të tërhiqej nga aeroporti, pasi nuk ishte në gjendje të punonte në këto kushte. Kështu tha Jose Javier Sanchez, zëdhënësi i Kryqit të Kuq. Me një biletë avioni për në vendet e Amerikës Latine pa viza, migrantët e ligjshëm aplikojnë për azil, kur ndalen në Madrid.

Shumica kanë hedhur tashmë letrat në avion ose janë deklaruar të mitur, për të shmangur dëbimin e menjëhershëm. Nga ana e tij, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) denoncoi mungesën e kushteve të mira dhe kërkoi zgjidhje të menjëhershme nga autoritetet spanjolle./ZËRI/