
PRISHTINË- Një shkrim i portalit nga Sarajeva “Slobodna Bosna” që fliste për planet e supozuara të presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kontrollin që ai kishte në dy portale "Nacionale" dhe "Periskopi" ka shkaktuar trazira në Kosovë. Madje çështja ka përfunduar në Prokurorinë e Prishtinës. Por çfarë shkruhej në artikull, kush reagoi dhe pse u përfshi RadioTelevizioni i Kosovës?
ZËRI ka bërë një përmbledhje të gjithë asaj që ka ndodhur gjatë ditëve të fundit në Kosovë.
Çfarë thuhet në tekstin e portalit “Slobodna Bosna”?
Teksti, që për autor ka ekipin hulumtues të “Slobodna Bosna”, u publikua më 22 korrik dhe, duke u bazuar në burime, tregon se si minierat e litiumit në Serbi janë shkaktar i mundshëm i i konflikteve të reja në Serbi dhe rajon, por edhe në Bosnje e Hercegovine. Në një pjesë të tekstit, duke cituar burime të paidentifikuara, “Slobodna Bosna” shkroi se pushteti i Vuçiçit po zgjerohet kur bëhet fjalë për “heshtjen” e mediave në rajon dhe se tashmë ka ardhur koha që e njëjta gjë të bëhet edhe ndaj mediave në Kosovë. Madje ka përmendur edhe me emra dy prej tyre.
“Në rend të parë është portali ‘Periskopi’, i cili është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Millan Radoiçiq, dhe kohët e fundit është bërë një transaksion miliona dollarësh te [portali] ‘Nacionale’, i cili është vënë në dispozicion të pushtetit të Vuçiqit me tekste kritike për Qeverinë e Albin Kurtit, duke shkaktuar zemërim te shqiptarët e Kosovës,”-shkruhej ndër të tjera në artikullin e “Slobodna Bosna”.
Reagimi nga RTK
Radio Televizioni i Kosovës e transmetoi të hënën në edicionin qendror të lajmeve lajmin. Lajmi doli edhe në ëeb-faqen e televizionit, ku u përmendën dy mediumet, Periskopi dhe Nacionale. RTK-ja citonte një artikull të “Slobodna Bosna”, duke shkruar se Periskopi është “nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radoiçiç”, dhe se së fundmi “është bërë një transaksion miliona dollarësh te Nacionale”. Bordit të transmetuesit publik të vendit iu desh ta mbante një mbledhje të jashtëzakonshme të martën, pas të cilit pretenduan se nuk i kisin përmendur mediat në fjalë.
“Bordi shpreh keqardhje për publikimin e një artikulli ku janë apostrofuar mediat e Kosovës në mediumin boshnjak, ndonëse RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendur ato. Kjo është theksuar nga stafi editorial gjatë takimit,”- u tha në një komunikatë të lëshuar nga RTK.
Megjithatë, një numër i gazetarëve dhe redaktorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), janë distancuar nga publikimi i artikullit të hënën në mediumin publik. Gazetarja dhe redaktorja Blerta Foniqi Kabashi, ka kujtuar kohën kur babai i saj ishte gazetar dhe vështirësitë që kishin hasur në kohën e pushtimit serb për të bërë gazetari.
“Angazhimi i babit për edicionin nga Kosova në TVSH është storje në vete. Çdo raportim të tij e prisnim me padurim. Atëherë isha edhe më e rritur, e kuptoja edhe më mirë peshën e fjalës. Por, frika ishte shumë e madhe. Sa herë që e kalonte kufirin pa u torturuar, ishte festë në shtëpinë tonë. E dëgjoja mamin teksa thoshte se shpëtoi edhe kësaj radhe. Por, kështu nuk ndodhte gjithmonë, fatkeqësisht!”.
Foniqi-Kabashi, ka kundërshtuar veprimin e RTK-së, duke thënë se shkeljet etike s’kanë vend në këtë profesion.
“Sikurse kam qenë pjesë e protestave të vitit 2015 për një RTK të publikut, vazhdoj edhe sot të kundërshtoj çdo gjë joprofesionale, pa u frikësuar e nënshtruar ndaj askujt!. Andaj, pa qenë fare përgjegjëse për situatën e fundit të krijuar, ndjej keqardhje dhe krejt çka mund të bëjë, është të vazhdoj të punoj me profesionalizëm dhe pa kompromis brenda përgjegjësive të mija dhe vetëm duke verifikuar informacionet!”.
Një reagim ka ardhur edhe nga gazetarja Fitore Rexhepi, është distancuar duke shprehur keqardhje për publikimin e artikullit të mediumit boshnjak “Slobodna Bosna” në RTK.
“Si gazetare e TV publik, në çdo pyetje që bëj ndaj secilit politikan, kam parasysh interesat e çdo qytetari që paguan taksat për këtë televizion. Jam gazetare e TV publik por jam kolege e secilit gazetar në Kosovë. Distancohem nga lajmi i mbrëmshëm, por ky reagim publik nuk është një akt guximi – në RTK gjithmonë ka vend për zëra të ndryshëm. Shpresoj që këta zëra të dëgjohen edhe në mediat e tjera, në mënyrë që të triumfojë demokracia dhe liria e secilit gazetar, qoftë nga politika apo nga grupet e tjera të interesit!”.
Nga ana tjetër, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka kërkuar që të ndalen sulmet e pushtetit ndaj mediave. Një reagim ka ardhur edhe nga platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor, SafeJournalists – anëtare e së cilës është edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën denigruese të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje…I bëjmë thirrje Kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë denigruese, dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza,” – thuhet ndër të tjera në reagim.
Reagon Nacionale
Deri më tani, reagime ka pasur edhe nga drejtuesit e dy mediave që u përmendën nga RTK dhe media e huaj. I pari ishte drejtuesi i Nacionale, Berat Buzhala, i cili ka përcjellë një mesazh për kolegët e tij, duke përmendur edhe Adi Krastën, i cili mban postin e zv.drejtorit të televizionit kombëtar.
PJESË NGA REAGIMI I BUZHALËS
Nje gazete e Bosnjes e paska publiku nje lajm qysh disa media te Kosoves, perfshi gazeten Nacionale e ka ble Vuciqi. Media e Bosnjes kete shkrim e ka botu me burime. Paturpesisht kete shkrim e ka publiku RTK, Ardian Krasta. As nuk jane lodhe me çu pyetje, ose ckado qofte, thjeshte e kane lexu. Stafi qe punon me mu e din. Punoj si kali, 7 dite ne jave. Shkruj shkrime, boj video, ngaj mas marketingut, intervistoj njerez, vec me e majte gjalle nje kompani me 40 veta. Nuk po ju kallxoj sa e kam rrogen, se edhe ju ia nisni me keshe. Po po, nuk jam keq financiarisht, sepee bashke me partnere te tjere e pata ndertu nje kompani me 150 veta, te cilen e pata shite. Nuk e kam bo as Nacionalen vet. Bashke me shume te tjere e kam bo. Rrogat i japim ne banke, pagujme tatime cdo muaj, bile edhe tatim ne fitim. I kena nejt perballe edhe pushtetit te Thacit edhe te Haradinajt, qashtu qysh duhet mediat me i nejte perballe cdo pushteti. I rrime perballe edhe pushtetit te Kurtit. Tash çohet nje pshurran, a pshurrane, edhe publikon lajme ne RTK, ne median qe na paguajme taksa per te, qysh e paskmi shite ne Serbi Nacionalen kushedi sa miliona euro. Dijeni o butakë qe tashme shkune kater vjet. Shkojne edhe kater tjera. Dikur takohmi ne kafe e ne rruge, e ka mundesi qe ju pshtyjme ne ftyre...
Pavarësisht reagimeve dhe thirrjeve nga rrjetet e gazetarëve, sot ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka shkuar në Prokurorinë e Prishtinës për të "dhënë informacione". Ajo tha se “është e rëndësishme të dimë se kush financohet nga Serbia”.
“Ashtu siç e keni parë dje në RTK live është publikuar një hulumtim që ndërlidhet me tendencën e Serbisë për të blerë media në Ballkan. Në këtë rast përmenden dy portale, Periskopi dhe Nacionalja, që thuhet sipas hulumtimit që financohen nga Serbia, nga qeveria e Serbisë. Kam ofruar para prokurorisë edhe këtë lajm që është publikuar nga RTK live, sepse është e rëndësishme që të dimë se kush nga portalet financohet nga Serbia. Unë po them edhe njëherë që nuk është përgjegjësi e imja që të them se çka dhe kush e ka përgatitur hulumtimin. Ajo çka është e rëndësishme është që e përditshmja atje është kredibile dhe hulumtimi është bërë nga ata. Prandaj i përket institucioneve përgjegjëse që të hulumtojnë më shumë, që të hetojnë më shumë këtë rast. Unë e pata për obligim që t’ia ofroj ato që i kam parë edhe vetë, jo vetëm në cilësinë e ministres së Drejtësisë, por edhe në cilësinë e qytetares së Republikës së Kosovës,”- tha Haxhiu./ZËRI