Bota

Çfarë kërkon Kina nga lufta Izrael-Hamas?

Pekini mund të jetë një ndërmjetësues i mirë në konflikt, pasi ndryshe nga SHBA, ka raporte të mira me palestinezët. Kina ka përfitimet e saj, nëse do jetë negociatore e luftës Izrael-Hamas.

D.XH
Çfarë kërkon Kina nga lufta Izrael-Hamas?
Kine-SHBA

GAZA - Ndërsa konflikti midis Izraelit dhe Hamasit intensifikohet, një zhvillim i papritur është shfaqur së fundmi. Kina luan rolin e ndërmjetësit të paqes, por nuk dihet se çfarë mund të arrijë.

Kryediplomati kinez, Uang Yi, diskutoi konfliktin me zyrtarët në Uashington në fundjavë mes frikës së një lufte më të madhe rajonale. Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të punojnë me Kinën, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.

Uang ka folur gjithashtu me homologët e tij izraelitë dhe palestinezë, pasi i dërguari special i Kinës në Lindjen e Mesme Zhai Jun, ishte në rajon për të takuar udhëheqësit arabë. Kina ka qenë gjithashtu një nga përkrahësit më të zëshëm të një armëpushimi, në mbledhjet e OKB-së.

Ka shpresa se Kina mund të përdorë marrëdhëniet e saj të ngushta me Iranin, i cili mbështet Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Liban, për të de-përshkallëzuar situatën. Zyrtarët amerikanë me sa duket i kërkuan Uang-ut, që të kërkonte qetësi nga iranianët, raporton Financial Times.

Deklarata e parë e Kinës për konfliktin zemëroi Izraelin, i cili shprehu zhgënjim të thellë, që Pekini nuk e dënoi Hamasin dhe as nuk përmendi të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur.

Pas zemërimit për deklaratën e tij të parë, Uang më vonë i tha Izraelit se të gjitha vendet kanë të drejtën e vetëmbrojtjes - por ai gjithashtu tha se veprimet e Izraelit kanë shkuar përtej vetëmbrojtjes.

Kina përballet me vështirësinë për të qenë asnjëanëse, sepse prej kohësh ka simpatizuar hapur kauzën palestineze. Rrënjët për këtë simpati gjenden tek themeluesi i Partisë Komuniste Kineze Mao Ce Dun, i cili u dërgoi armë palestinezëve në mbështetje të lëvizjeve të ashtuquajtura "çlirimtare kombëtare" në mbarë botën. Madje Mao e krahasoi Izraelin me Tajvanin - të dyja të mbështetura nga SHBA - si baza të imperializmit perëndimor.

Kina është partneri më i madh tregtar i Iranit. Teherani thotë se është i gatshëm të forcojë komunikimin me Kinën për zgjidhjen e situatës në Gaza.

“Duke qenë se qeveria kineze ka pasur një marrëdhënie relativisht të ekuilibruar me të gjithë aktorët në konflikt, ata mund të perceptohen si një ndërmjetës i ndershëm”, tha Daun Murphy, një profesore e asociuar që studion politikën e jashtme kineze në Kolegjin Kombëtar të Luftës në Departamentin e Mbrojtjes të SHBA.

Në veçanti, Kina ka marrëdhënie pozitive me palestinezët, arabët, Turqinë dhe Iranin. “Së bashku me SHBA-në që ka marrëdhënie të mira me Izraelin, kinezët mund të sjellin të gjithë palët në tryezë”, tha ajo.

Por, vëzhgues të tjerë theksojnë se Kina mbetet një ndërmjetësues jo me rol të madh në politikën e Lindjes së Mesme.

"Kina nuk është një aktor serioz për këtë çështje. Duke folur me njerëzit rreth rajonit, askush nuk pret që Kina të kontribuojë në zgjidhje," tha Jonathan Fulton, një anëtar i lartë jorezident i Këshillit Atlantik, i specializuar në marrëdhëniet e Kinës me vendet e Lindjes së Mesme.

Në dekadat e mëvonshme, Kina u hap ekonomikisht dhe normalizoi marrëdhëniet me Izraelin, me të cilin tani ka një marrëdhënie tregtare miliarda dollarëshe.

Kina e ka bërë të qartë se vazhdon të mbështesë palestinezët. Në fjalët e tyre për konfliktin e fundit, zyrtarët kinezë dhe madje edhe presidenti Xi Jinping kanë theksuar nevojën për një shtet të pavarur palestinez.

Një efekt anësor mbetet rritja e antisemitizmit në internet, e nxitur nga blogerët nacionalistë. Disa persona në mediat sociale kineze i kanë barazuar veprimet e Izraelit me nazizmin, duke i akuzuar ata për kryerjen e një gjenocidi mbi palestinezët, duke shkaktuar një qortim nga ambasada gjermane në Pekin.

Vrasja me thikë e një anëtari të familjes së një punonjësi të ambasadës izraelite në Pekin ka shtuar gjithashtu shqetësimin.

Duke pasur parasysh pasiguritë, pse po përfshihet Kina?

Një arsye janë interesat e saj ekonomike në Lindjen e Mesme, të cilat do të rrezikoheshin nëse konflikti zgjerohej. Pekini tani është shumë i varur nga importet e huaja për naftë dhe analistët vlerësojnë se rreth gjysma e saj vjen nga Gjiri Persik.

Vendet e Lindjes së Mesme janë bërë gjithnjë e më shumë lojtarë të rëndësishëm në Iniciativën e Kinës "Belt and Road" (BRI), një gur themeli i politikës së saj të jashtme dhe ekonomike.

Por një arsye tjetër është se konflikti paraqet një mundësi të artë për Pekinin për të rritur reputacionin.

Kina beson se qëndrimi për palestinezët do të bëjë që shumë vende me shumicë myslimane apo arabe, të kenë simpati për shtetin kinez. Lufta ka shpërthyer në një kohë kur Kina po prezantohet si një ekonomi sfiduese për SHBA. Që nga fillimi i vitit, Pekini ka promovuar një vizion të një rendi botëror të udhëhequr nga Kina, ndërsa kritikon politikën e SHBA në Lindjen e Mesme.

Lufta në Lindjen e Mesme nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa tashmë ushtria izraelite ka hyrë në Gaza. Më shumë se 10 mijë njerëz kanë vdekur nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB