Bota

Familjet e viktimave të koronavirusit ‘përplasen’ me Boris Johnson

Familjarët e viktimave të Covid në Britaninë e Madhe nuk kanë pranuar ndjesën e Boris Johnson. Kur Johnson ishte kryeministër i Britanisë, ai u kritikua se ka keqmenaxhur pandeminë, pasi u pa në disa festa me anëtarë të qeverisë, duke mos respektuar as vetë masat ndaj Covid.

D.XH
Familjet e viktimave të koronavirusit ‘përplasen’ me Boris
Boris Johnson

LONDËR- Ish-kryeministri britanik Boris Johnson ka tentuar të kërkojë falje për mijëra jetët e humbura nga Covid gjatë kohës që ishte në pushtet, por u ndërpre nga protestuesit. Johnson po jepte dëshmi të mërkurën në mëngjes në hetimin publik për Covid të Mbretërisë së Bashkuar.

Gjatë deklaratës së tij, Johnson u sulmua nga demonstruesit, që besohej se ishin nga një grup familjesh, që humbën të dashurit gjatë pandemisë. Katër persona u ngritën në këmbë kur Johnson filloi të thoshte se i vinte keq, duke mbajtur tabela që shkruanin "të vdekurit nuk mund të dëgjojnë faljet tuaja", njoftoi agjencia e lajmeve PA Media e Mbretërisë së Bashkuar. Protestuesit më pas u përjashtuan nga seanca, nga udhëheqësja e hetimit, Heather Hallet.

Njëra prej tyre, 59-vjeçarja Kathryn Butcher, i tha më vonë agjencisë: “Ne nuk donim faljen e tij. Kur ai u përpoq të kërkonte falje, ne u ngritëm në këmbë. Ne nuk bllokuam askënd. Na thanë të ulemi.” Butcher, e cila është nga Londra, i tha PA Media se kunata e saj 56-vjeçare, Myrna Saunders, vdiq nga Covid-19 në mars 2020. Më shumë se 200,000 njerëz vdiqën nga koronavirusi gjatë pandemisë në MB, një nga numrat më të lartë të vdekjeve në Evropë dhe qeveria e Johnson u kritikua gjerësisht për masat e saj.

Familjet e viktimave të koronavirusit ‘përplasen’ me Boris
Familjaret e viktimave te Covid

“Unë i kuptoj ndjenjat e këtyre viktimave dhe familjeve të tyre dhe më vjen thellësisht keq për dhimbjen, humbjen dhe vuajtjen e atyre viktimave dhe familjeve të tyre”, tha Johnson. “Shpresoj se ky hetim do të ndihmojë për të marrë përgjigjet e pyetjeve shumë të vështira që me të drejtë po bëjnë të afërmit e viktimave”, vazhdoi fjalën e tij ish-kryeministri.

Ai vazhdoi të mbrojë veprimet e tij gjatë pandemisë duke thënë: "Unë mendoj se ne po bënim më të mirën në atë kohë, duke pasur parasysh atë që dinim, duke pasur parasysh informacionin që kisha në dispozicion në atë kohë" Ai vazhdoi: “A kishte gjëra që duhet t'i kishim bërë ndryshe? Padiskutim.”

Ndërsa ishte ende në detyrë, Johnson u bë kryeministri i parë në detyrë që mori një gjobë nga policia, për thyerjen e rregullave për Covid. Skandali "Partygate", gjatë të cilit anëtarët e ekipit të tij - dhe vetë kryeministri i atëhershëm - morën pjesë në festa, që shkelnin rregullat kombëtare të Covid-it, bënë që Johnson të kritikohej së tepërmi dhe ishte arsyeja kryesore se përse ai u rrëzua si kryeministër i Britanisë./ZËRI/

Poll

MOS HUMB