
SHBA- Melania, Eric, Donald Jr., Ivanka dhe Barron, e gjithë familja Trump do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë të hënën pasi Donald Trump të marrë zyrtarisht detyrën si President, me pyetje për rolin e secilit anëtar. Edhe pse të afërmit e tij pritet të jenë më pak të përfshirë në këtë mandat të dytë të Trump, disa pritet të mbajnë një rol kyç si këshilltarë jozyrtarë të republikanit.
Gruaja e Trump, Melania, me të cilën ai u martua në vitin 2005, po kthehet si zonja e parë e SHBA. Ish-modelja 54-vjeçare do të banojë në Shtëpinë e Bardhë me ndërprerje, sipas CNN, siç bëri gjatë mandatit të parë të bashkëshortit të saj. Tradicionalisht, zonjat e para të SHBA-së përfshihen në organizimin e darkave zyrtare dhe duke e marrë përsipër të promovojnë çështjet sociale. Herën e parë që mori këtë rol, Melania Trump u përfshi në luftën kundër ngacmimeve në internet.
Djali i madh i presidentit amerikan, biznesmeni 47-vjeçar Don Jr ushtroi ndikim të madh te babai i tij për të zgjedhur J. D. Vance si zëvendëspresident. Sipas mediave amerikane, Don Jr nuk është më i fejuar me Kimberly Guilfoyle, të cilën Trump e emëroi si ambasadore amerikane në Greqi.
Donald Trump Jr nuk pritet të marrë një rol zyrtar në Shtëpinë e Bardhë, por do të mbetet nënkryetar ekzekutiv i biznesit familjar, Organizata Trump. Ivanka Trump u distancua nga politika në fund të mandatit të parë të babait të saj , pasi ishte një nga këshilltaret e tij kryesore.
Bashkëshorti i saj Jared Kushner ishte gjithashtu këshilltar i Trump në mandatin e tij të parë, duke u marrë kryesisht me liderët e vendeve të Gjirit gjatë periudhës kur SHBA po negocionte përfundimin e Marrëveshjes së Abrahamit për të normalizuar marrëdhëniet e saj me Izraelin. Këtë herë, Kushner nuk do të ketë një rol zyrtar, por do të jetë një këshilltar jozyrtar i Trump për çështjet e Lindjes së Mesme.
Eric Trump, 41 vjeç, më i riu nga fëmijët e Trump nga martesa e tij e parë, ishte nënkryetar i Organizatës Trump gjatë mandatit të parë të babait të tij, duke u shfaqur në mitingje dhe në televizion për ta mbrojtur atë. Ai pritet të mbajë të njëjtat role edhe në mandatin e dytë të Trump. Bashkëshortja e tij, Lara Trump, e cila po përpiqet të bëjë karrierë si këngëtare, së fundmi dha dorëheqjen si nënkryetare e Partisë Republikane./ZËRI