
GAZA- Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka përshkruar situatën në Rripin e Gazës si një çështje "jete a vdekjeje", duke paralajmëruar se furnizimi me ujë të pastër për 2 milionë banorët atje është duke u pakësuar rrezikshëm. OKB-ja paralajmëroi gjithashtu për rrezikun në rritje të sëmundjeve që vijnë nga uji.
"Është bërë një çështje jete dhe vdekjeje. Është një domosdoshmëri; karburanti duhet të dërgohet tani në Gaza për të vënë në dispozicion ujin për 2 milion njerëz”, ka deklaruar Komisioneri i Përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët në Palestinë, Phillippe Lazzarini.
Në një deklaratë të bërë gjatë kësaj të shtune, Lazzarini theksoi ndikimin shkatërrues të bllokadës në Gaza, e cila nuk ka marrë asnjë ndihmë të re humanitare për një javë tashmë.
"Uji i pastër po mbaron në Rripin e Gazës, pasi impianti i tij i ujit dhe rrjetet publike të ujit pushuan së funksionuari. Njerëzit tani janë të detyruar të përdorin ujin e ndotur nga puset, duke rritur rrezikun e sëmundjeve që vijnë nga uji. Gaza gjithashtu ka qenë nën ndërprerje të energjisë elektrike që nga 11 tetori, situatë e cila ka ndikuar në furnizimin me ujë”, thuhet në deklaratë.
"Vetëm në 12 orët e fundit, qindra mijëra njerëz janë zhvendosur. Eksodi vazhdon ndërsa njerëzit lëvizin në pjesët jugore të Rripit të Gazës. Gati 1 milion njerëz janë zhvendosur vetëm brenda një jave", thuhet në deklaratë.
“Ne duhet të dërgojmë karburant në Gaza tani. Karburanti është e vetmja mënyrë që njerëzit të kenë ujë të pijshëm të sigurt. Nëse jo, njerëzit do të fillojnë të vdesin nga dehidratimi i rëndë, mes tyre fëmijë të vegjël, të moshuar dhe gra. Uji tani është linja e fundit e shpëtimit që ka mbetur”, shtoi Lazzarini. “Unë bëj thirrje që rrethimi për ndihmën humanitare të hiqet tani”.