
UASHINGTON - I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka komentuar situatën e fundit pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb, por edhe planin për zbatimin e tij brenda tre muajsh. Në një prononcim të dhënë për "Tanjug", Escobar tha se këto çështje duhet të komunikohen me afate që nuk i prekin qytetarët.
"Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në zgjidhjen e problemit, por Beogradi dhe Prishtina duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese. Lëvizjet e njëanshme do të kenë pasoja. Kemi qenë shumë të qartë që çështje të tilla duhet të zgjidhen përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe t’u komunikohen me kohë dhe të njoftohen qytetarët e prekur. Ne jemi gati për t’i ndihmuar të dyja palët për ta zgjidhur këtë çështje. Ata duhen të kthehen në dialog dhe t’i respektojnë marrëveshjet,"-tha Escobar.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysninë e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj. Serbët e Kosovës protestuan në Mitrovicën e Veriut të hënën kundër kësaj rregulloreje, ndaj po dje, BQK doli në një njoftim për shtyrjen me 3 muaj të kësaj nisme.
Pavarësisht kritikave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se, derisa Kosova nuk do të heqë dorë nga vendimi për ndalimin e dinarit për pagesa me para të gatshme, ai po i respekton kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje. Kushtetuta e Kosovës përcakton që duhet të ekzistojë vetëm një valutë për kryerje të pagesave me para të gatshme. Kosova nuk është pjesë e Eurozonës, të cilën e përbëjnë 20 vende anëtare të Bashkimit Evropian, por e ka euron si valutë kryesore prej vitit 2002./ZËRI