
ATHINË-ANKARA- Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan.
Gjatë bisedës telefonike, sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit grek, të dy liderët diskutuan për zhvillimet e fundit pas sulmeve terroriste të Hamasit kundër Izraelit dhe situatën në Rripin e Gazës. Kryeministri i Greqisë nënvizoi nevojën për të shmangur një krizë humanitare dhe për të mos kërcënuar stabilitetin rajonal.
Presidenca turke njoftoi se Erdogan vuri në dukje se Turqia do të luajë rol, që të shmanget konflikti dhe të mos përhapet më gjerë në rajon. “Presidenti ynë Erdogan deklaroi se Turqia ka bërë të gjitha përpjekjet për t'i dhënë fund luftës, e cila mund të ketë pasoja jashtëzakonisht negative në shkallë rajonale dhe globale", njoftoi presidenca turke.
Erdogan deklaroi se vendet e rajonit, por edhe të botës, duhet të japin mesazhin, se duhet të dënohet çdo dhunë dhe shkelje e të drejtave të njeriut.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka pasur më herët një bisedë telefonike edhe me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi. Gjatë bisedës telefonike, u diskutuan zhvillimet e fundit pas sulmeve terroriste të Hamasit kundër Izraelit dhe situata në Rripin e Gazës.
Mitsotakis nënvizoi nevojën për të parandaluar një krizë humanitare. Të dy liderët ranë dakord se është e rëndësishme që ndihma humanitare të arrijë në Gaza, ndërsa shprehën shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit dhe përhapjes së krizës në të gjithë rajonin.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja e Tel Avivit ishte e menjëhershme. Më shumë se 4100 njerëz kanë vdekur nga sulmet e përgjakshme./Zëri.ai/