
ANKARA – Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar se shteti turk nuk pret më asgjë nga BE-ja. Erdogan u shpreh se BE e ka lënë Ankaranë të presë tek dera për 40 vjet.
“Ne i kemi mbajtur të gjitha premtimet që ia kemi bërë BE-së. Ata nuk e kanë përmbushur thuajse asnjë premtim, që e kanë bërë. Nuk kemi ndërmend që të tolerojmë kërkesa të reja apo kushte të tjera në procesin e anëtarësimit të vendit në bashkësinë europiane”, tha Erdogan në fjalën e tij në sesionin parlamentar në kryeqytetin turk.
Kjo kritikë e Erdoganit vjen në këtë moment, edhe pse Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka kritikuar Turqinë të enjten e kaluar për dënimin e një mësuesi pas tentativës për puç më 2016, nën akuzat se ai kishte shkarkuar një aplikacion të koduar për dërgimin e mesazheve të ndërlidhur me puçistët e dyshuar.
Vendimi i gjykatës se të drejtat e Yuksel Yalcinkayas janë shkelur, mund ta krijojë një precedent të fuqishëm, në një kohë kur gjykata me bazë në Strasburg ka para vetes mijëra raste të ngjashme.
Turqia vazhdon që të fajësojë për puçin ushtarak të kryer ndaj saj, Fetullah Gulen, klerik fetar që jeton e vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Erdogan deklaroi të mërkurën se vendimi i Gjykatës së Strasburgut ishte “goditja e fundit”. Sipas Erdogan, Turqia nuk do të gjunjëzohet “përballë grupit tradhtar të Gulenit”./Zëri.ai/