
SHBA- Elon Musk, themeluesi i kompanisë SpaceX dhe një nga njerëzit më të pasur në botë që aktualisht ka blerë edhe rrjetin social X (ish Twitter) ka publikuar një meme që tallet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Meme-ja që ai postoi tregon Zelenskyy-n me venat që i duken, ndërsa mbishkrimi lexon: Kur kanë kaluar pesë minuta dhe ju ende nuk keni kërkuar miliarda dollarë në ndihma.
Përgjigjia i erdhi nga profili zyrtar i Parlamentit të Radës së Ukrainës. Parlamenti iu përgjigj Musk me një meme të ngjashme, ku dukej fytyra e tij me mbishkrimin: Kur kanë kaluar pesë minuta dhe ende nuk keni përhapur propagandën ruse.
John Cypher, një ish-agjent i CIA-s, i shkroi Musk-ut që të "merrte ndihmë".
Ndihma e SHBA-së për Ukrainën ka qenë një temë e diskutueshme që kur Rusia nisi për herë të parë luftën e hapur kundër Ukrainës në vitin 2022. Shumica e demokratëve dhe republikanëve tradicionalë konservatorë kanë qenë në favor të ndihmës së Ukrainës, por republikanët që janë në anën e ish-presidentit Donald Trump kanë kundërshtuar kryesisht ndihma në para dhe në mjete luftarake. Sipas të dhënave të publikuara nga AP, Amerika ka miratuar rreth 113 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën që nga fillimi i luftës./Zëri.ai