
GAZA - Izraeli u paralajmërua nga Egjipti për sulm të mundshëm, tre ditë përpara sulmit vdekjeprurës të Hamasit. Kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Michael McCaul iu foli gazetarëve për këtë paralajmërim.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i përshkroi raportet që po qarkullojnë në media si absolutisht të rreme. Shërbimet e inteligjencës izraelite po akuzohen për dështimin e tyre për të parandaluar sulmin më vdekjeprurës nga militantët palestinezë në historinë 75-vjeçare të Izraelit.
"Ne e dimë se Egjipti i ka paralajmëruar izraelitët tre ditë përpara sulmit të Hamasit", u tha McCaul, gazetarëve në një konferencë për mediat.
"Unë nuk dua të futem shumë në detaje, por u dha një paralajmërim," shtoi republikani i Teksasit. Një zyrtar egjiptian i inteligjencës i tha agjencisë së lajmeve Associated Press këtë javë se Kajro i kishte paralajmëruar vazhdimisht izraelitët se një sulm i madh po planifikohej nga Gaza.
"Ne i kemi paralajmëruar se po vjen një sulm shumë shpejt dhe se do të ishte me përmasa të mëdha. Por ata i nënvlerësuan paralajmërimet e tilla", tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti. Zyrtari i Kajros tha se izraelitët kishin minimizuar kërcënimin nga Gaza, duke u fokusuar në Bregun Perëndimor. Sir Alex Younger, i cili shërbeu si shef i agjencisë së inteligjencës së jashtme të Mbretërisë së Bashkuar midis 2014 dhe 2020, tha se luftëtarët e Hamasit ishin në gjendje të kryenin sulmin e tyre më 7 tetor, për shkak se Izraeli mendonte se ishte i pathyeshëm në sigurinë e tij.
Ai i tha BBC Radio se mund të ketë ekzistuar një logjikë nga Izraeli se Hamasi nuk ishte i interesuar për një konflikt të ri, kështu që çdo informacion që e kundërshtonte këtë ide, mendohej si i rremë.
Younger shtoi se vetëkënaqësia mund të jetë shtuar nga një mbështetje e madhe me mjetet teknologjike për të monitoruar Gazën, duke çuar në një ndjenjë të rreme sigurie. Financial Times, duke cituar dy zyrtarë të paidentifikuar që njohin mirë çështjen, shkroi se Izraeli mendonte se nuk do kishte asnjë sulm të rrezikshëm nga Hamasi.
Egjipti - i cili kontrollon se kush kalon kufirin e tij me Gazën - shpesh shërben si ndërmjetës midis Izraelit dhe Hamasit. Më shumë se 1,500 militantë sulmuan pengesën e sigurisë në Gaza në një sulm të koordinuar tokësor, ajror dhe detar më 7 tetor 2023. Numri i të vdekurve në Izrael nga sulmet e Hamasit ka arritur në 1200. Më shumë se 1300 njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza.
Izraeli ka goditur objektivat e Hamasit në Gaza si kundërpërgjigje, ndërkohë që banorët e territorit thonë se nuk kanë energji elektrike, pasi i vetmi termocentral i tyre mbeti pa karburant./Zëri.ai/