
GREQI – Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Kalyvia të Greqisë, ku djali i mitur 16 vjeç ka vrarë babanë e tij 71-vjeçar. 16-vjeçari akuzohet për “vrasje nga pakujdesia” dhe “shkelje e legjislacionit për armët”. Autori i mitur është dërguar në gjykatën e Evelpidonit në mesditë, i shoqëruar nga e ëma dhe vëllai i tij 19-vjeçar, teksa më pas ka shkuar drejt zyrës së hetimit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të së premtes (22/12), kur i mituri ka telefonuar nënën e tij dhe i ka thënë se ka vrarë të atin, pas një sherri, sipas Policisë. Më pas, nëna e të miturit ka njoftuar autoritetet për ngjarjen tragjike, ku zyrtarët e ELAS-it (policisë greke) kanë shkuar në banesë, në Kalyvias, ku ka ndodhur krimi, teksa kanë gjetur të vdekur 71-vjeçarin dhe kanë arrestuar 16-vjeçarin.
Adoleshenti krijoi pritë për babanë dhe ishte bërë gati për ta vrarë
I mituri, i cili akuzohet për shkelje të nenit 299 par.1 të Kodit Penal “Vrasje me dashje” në lidhje me ligjin 2168/1993 “Për armët”, ka pranuar në polici krimin, duke thënë se nuk duroi më abuzimin nga i ati dhe vendosi ta vriste. Sipas njoftimit të policisë, i pandehuri është kthyer në banesën e tij në rrugën Galinis në Kalyvia Thorikou, Atikë, ku jetonte me viktimën – babain e tij, pasi më parë kishte shkuar në qendër të Athinës me vëllain, nënën dhe partnerin e saj.
Rreth orës 21:20 të së njëjtës ditë, kur i ndjeri është kthyer në banesë, i akuzuari ka qenë duke pritur në hyrjen nga dera qendrore e katit të parë, duke pasur në dorë dy mjete prerëse, përkatësisht thika dhe kur 71-vjeçari ka hyrë në shtëpi, e ka sulmuar, duke e goditur në bark, gjoks, qafë dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime fatale. Zemërimi i të riut ndaj të atit tregohet nga dëmtimet e shumta që ai ka arritur t’i shkaktojë në bark, gjoks dhe shpinë, madje duke përdorur dy sende të mprehta, me pasojë plagosjen fatale. Pas hetimeve nga autoritetet, ata gjetën në vendngjarje dhe sekuestruan një thikë.
Babai po vraponte nëpër shkallët i mbuluar me gjak për të shpëtuar veten
Siç përshkruhet më tej, viktima ka tentuar të arratiset, duke zbritur shkallët e banesës, derisa ka përfunduar në oborrin e katit përdhes, ku është gjetur trupi i tij. Adoleshenti ka pretenduar se babai i tij ushtronte dhunë ndaj anëtarëve të tjerë të familjes. Viktima, një baba 71-vjeçar, kishte dy fëmijë me ish-partneren e tij, 16-vjeçarin dhe një fëmijë tjetër, 19 vjeç. 19-vjeçari jetonte diku tjetër me nënën, ndërsa fëmija i vogël jetonte me të atin dhe në moshën madhore mund të largohej.
Sipas autorit të mitur (16 vjeç), e gjithë familja kishte pësuar abuzim kronik dhe sjellje abuzive nga babai, siç raportojnë burime policore. Kjo duket se e ka nxitur atë, të kryejë krimin e rëndë. “Gjithçka ndodhi me urrejtje të madhe”, thuhet më tej.
Dëshmia e parë e 16-vjeçarit
I mituri dyshohet se në deklaratën e tij të parë ka pohuar se gjithçka ka ndodhur në nxehje e sipër dhe në fakt, ka pasur debate të shpeshta për shkak të autoritarizmit të babait. “Ai është dorëzuar menjëherë dhe jemi në fazën e hetimeve paraprake. Arsyet nuk janë zbardhur ende”, theksoi një ekspert, duke folur për MEGA. “Për dënimin, nëse gjykata pranon pretendimin se u bë në nxehje e sipër ose ka pasur arsye, 3-4 vjet burg do të jetë dënimi maksimal që mund të marrë', shtoi eksperti.
"Mund të ketë prova të dhunës në familje"
“Askush nuk lind vrasës, ka një situatë që krijohet nga klima e përgjithshme. Askush nuk e di se çfarë ka ndodhur, do të kishte prova të dhunës në familje. Të miturit që kryejnë një vepër penale trajtohen me masa reformuese dhe terapeutike”, tha avokati Yiannis Marakakis, duke folur për MEGA për rastin. Ngjarja ka shokuar vendin fqinj./ZËRI/